Morina tregon përse iu gëzua pikës ndaj Gjilanit!

483
Arbnor Morina, kryetrajner i KF Arbëria

Arbëria ka marrë një pikë tejet të rëndësishme në garën për mbijetesë, derisa ka barazuar në udhëtim te Gjilani (1-1), shkruan Gazetasheshi.com.

Kryetrajneri i kësaj skuadre, Arbnor Morina, pas ndeshjes u pa i kënaqur me pikën e arkëtuar, pasi që sipas tij futbollistët po e meritojnë një gjë të tillë që nuk po dorëzohen në asnjë moment.

“Jam i lumtur për këta djem të cilët pavarësisht presionit që kanë nuk po dorëzohen dhe po luajnë futboll shumë të mirë dhe këtë nuk po e them unë, por ata që e ndjekin vazhdimisht Superligën. Jam i lumtur për ta sepse mundi po ju shpaguhet dhe kjo është me rëndësi. Ndeshja ishte me ritëm të lartë edhe pse nuk pati raste të shumta nga dy skuadrat. Gjilani ka një skuadër me eksperiencë dhe prandaj duhet t’i gëzohemi kësaj pike, e cila ka vlerë të madhe për ne”, deklaroi Morina.

Arbëria mbetet në pozitën e tetë të renditjes tabelare, por tashmë ka 26 pikë.

Në xhiron e 24-të, e cila zhvillohet në mesjavë, skuadra e Arbërisë e pret në shtëpi skuadrën e Ballkanit.

/Gazeta Sheshi/