Morina sqaron problemin me tifozët, tregon se çka i bën ata

Një situatë jo e mirë është krijuar te skuadra e Gjilanit. Tifozët e njohur “Skifterat” po kërkojnë me të madhe shkarkimin e trajnerit, Arbnor Morina.

Situatë u përkeqësua para ndeshjes me Vushtrrinë, ku takimi ishte vendosur për t’u luajtur në Ferizaj dhe jo në Gjilan. Punën më keq e bëri eliminimi i Gjilanit nga Kupa e Kosovës.

Andaj shumë tifozë janë mbledhur dhe po kërkojnë dorëheqjen e trajnerit Morina, ky i fundit për “IndeksOnline”, sqaron problemet mes tij dhe tifozëve.

“E kam marr përgjegjësin për ndeshjen e Kupës së Kosovës. Dorëheqjen ia kam ofruar presidentit. Për mua janë këta që vendosin dhe askush tjetër. E kanë refuzuar kategorikisht. Dhe secilin vendim që marrin këta të tre për mua është meritor dhe e pranoj me shumë sportivitet”, ka thënë Morina për IndeksOnline.

Pas takimit të djeshëm u publikua një video, ku shihej trajneri duke debatuar me disa tifozë “Skifterë”.

“Për mua vendosin presidenti dhe drejtorët. Kam reaguar ndaj tifozëve, pasi lojtarët nuk i udhëheq nëna ime e ndjera, e as fëmijët e mi, të cilët janë cak i ofendimeve nga një pjesë e shikuese”, shtoi ai.

U spekulua shumë që pas përfundimit të pjesës së parë, ku Gjilani ishte në disavantazh, Morina nuk u fut fare në zhveshtore, sa është e vërtetë kjo, flet trajneri.

“Nuk është e vërtetë, kam qenë brenda, ju kam folur lojtarëve atë çka kam pasur dhe kam dalë në bankinë. Lojtarët i kam lënë me dy trajnerët e mi për t’u koncentruar më shumë”, përfundoi trajneri i Gjilanit.

Skuadra e Gjilanit kishte objektivin kryesor Kupën e Kosovës, por nga kjo u eliminuan. Tani, bardhekuqt janë të fokusuar në Vala Superligë, dhe gjendën në pozitën e shtatë me 32 pikë, shatë më pak se vendi i parë Prishtina.