Morata ka një mesazh për dyshen Pique-Guardiola

160

Alvaro Morata është sulmues në fushë dhe jashtë saj.  Ai nuk pret goditje, por i bën ato. Dhe nëse dikush e “ngacmon”, kundërsulmet janë një përgjigje e menjëhershme. Një të tillë lojtari i Real Madridit e dha sot para miqësores Belgjikë-Spanjë (nesër, ora 20:45), ku ai pritet të jetë titullar me iberikët. Pep Guardiola dhe Gerard Pique së fundmi kanë deklaruar se Barcelona është skuadra me lojën më cilësore në botë dhe kundërshtari për t’u mundur në sezonin e ri. “Kampioni aktual i Evropës është Real Madridi. Mua do të më pëlqente të luaja keq dhe të fitoja Ligën e Kampionëve. Më pëlqen më shumë futbolli i Real Madridit se i Barcelonës, sepse është më i drejtpërdrejtë“, – u shpreh 23-vjeçari.

“Nuk mund të jem më i lumtur. Po plotësoj ëndrrën time dhe vetëm shpresoj që të zgjasë. Nuk do t’ia falja vetes kurrë në jetë, nëse nuk do të rikthehesha në Madrid. Zidane? Ai më thirri dhe më tha se më donte për ekipin e tij dhe se besonte shumë tek unë”, – shtoi Morata, i cili u pyet edhe për të ardhmen e dy shokëve të tij të skuadrës, Bale dhe Isco. “Brenda pak vitesh, Bale do të jetë padyshim lojtari më i mirë në botë. Për sa i përket Iscos, unë nuk flas me të për largimin e mundshëm. E pyes për shembull për djalin e vet”, – komentoi sulmuesi. Në fund, dy fjalë për Juventusin. “Është skuadra më e madhe në Itali. E pata të vështirë të largohesha dhe e bëra vetëm për Real Madridin, që është më i madh.”