Modric duket aq i ri, sa nuk e lënë të futet në lokal!

136

Ndoshta është një surprizë për shumë vetë që mesfushori me fytyrë fëmijërore i Real Madrid, Luca Modric, do të mbushë 31 vjeç në muajin e ardhshëm. “Mjeshtri” nga Kroacia është një nga organizatorët më të mirë në botën e futbollit dhe duket se nuk ka ndryshuar shumë pamjen e tij, pavarësisht se është prej 13 vitesh futbollist profesionist. Nuk mendojmë se tani Modric duket ende si adoleshent, por të paktën kështu ka qenë në vitin 2006, kur ishte 21-vjeç dhe luante me Dinamo Zagreb, por nuk u la të futej në një lokal sepse dukej minoren dhe nuk kishte mjet identifikimi me vete.

Këtë episod e ka treguar Dovani Roso, një ish-futbollist i kombëtares kroate, që kur luante me Maccabi Tel Aviv ftoi bashkatdhetarët e tij në një lokal, pas ndeshjes që skuadra, që atëherë drejtohej nga Slaven Bilic luajti në Izreal për eliminatoret e Euro 2008. Ishte nëntori i vitit 2006 dhe tani, në një intervistë për “Sportske novosti”, Roso tregoi se ai i takoi disa nga shokët e tij pas fitores 4-3 dhe për të festuar u nisën për në një lokal, atje ku ka ndodhur edhe historia kurioze me Modric, që nuk u la të futej brenda sepse dukej shumë i vogël.

“Pasi Kroacia mposhti Izraelin në Tel Aviv, gjatë eliminatoreve të Euro 2008, unë mora Srna, Modric dhe disa futbollistë të tjerë për një darkë, – tha Roso. – Pasi darkuam shkuam të pinim diçka në një lokal nate, por në hyrje, rojet e sigurisë nuk donin të linin Modric të futej brenda. U kthyem ne dhe e morëm. Nuk lejohen fëmijë poshtë 16 vjeç i thanë Lukës, që atëherë ishte 21 vjeç. Ne qeshëm të gjithë dhe i treguam atyre se cili ishte. Edhe pse luante vetëm me Dinamon, edhe rojet e sigurisë e njihnin se kush ishte kur i përmendëm emrin Modric. Ai i kishte mahnitur gjatë ndeshjes.”