Mkhitaryan vs Gundogan: Cili ekip i Manchesterit ka bërë transferimin më të mirë?

173

Në dy javët e fundit, Manchester United dhe Manchester City “zaptuan” Dortmund-in në kërkim të një zgjidhjeje për sa i përket mangësive që kishin në anën krijuese të mesfushës. Kërkimi i tyre kulmoi në një shumë të përbashkët për jo më pak se 60 milionë euro për dy lojtarët e Borussia Dortmund, dhe maestrot e mesfushës Henrikh Mkhitaryan dhe Ilkay Gundogan. Të dy lojtarët e kanë treguar klasin e tyre duke luajtur bashkë në Bundesliga, por që sot e tutje do të jenë rivalë pasi secili prej tyre ka zgjedhur njërin prej klubeve të Manchesterit, dy klube që nuk kanë aspak dashuri për njëri tjetrin.

Ilkay Gundogan është blerja e parë e Pep Guardiolas te City. Citizens paguan 24 milionë euro për lojtarin e përfaqësueses gjermane, i cili mbërriti në Angli i dëmtuar. Gjithsesi, Gundogan i shkon shumë stilit të lojës së Guardiola-s, me lojtarin që është i mirë në rimarrjen e topit si dhe në krijimin e lojës. Rivali i Guardiolas, Jose Mourinho gjithashtu ndoqi rrugën e ish-trajnerit të Bayern duke firmosur me Henrikh Mkhitaryan nga Dortmund për një shumë rreth 36 milionë euro. Mou do ta pozicionojë armenin në mesfushën e avancuar të ekipit.


Të dy janë të shpejtë, luajnë mirë me topin dhe kanë një nuhatje për gol. Por cili ekip i Manchester do të jetë në gjendje të shfrytëzojë më mirë potencialin e lojtarëve për të cilët shpenzuan aq shumë para? Gjermani 25 vjeçar ka shumë kualitet dhe me siguri që do të jetë pjesë e formacionit duke sjellë shumë kualitet në lojë. Gundogan ka qenë një lojtar kyç i BVB, megjithëse ka qenë i pafat vitet e fundit me dëmtimet që ka pësuar. Mesfushori i ri i Manchester City, gjithsesi, ishte në gjendje të bënte 25 paraqitje në Bundesliga sezonin e kaluar, duke shënuar një gol dhe duke përgatitu tre të tjerë. Mesfushori pritet të jetë i rikuperuar gjatë shtatorit.


Lojtari i përfaqësueses armene është një lojtar që bën të vuajë kundërshtarët kur është në një ditë të mirë. Micki pritet të mundësojë një lojë fluide me paimet e tij të sakta, të fillojë sulmet, të krijojë shanse për gol dhe të shënojë gola. 27 vjeçari shënoi 10 gola sezonin e kaluar dhe ka krijuar 78 raste për gol, 15 prej të cilëve u shndërrua në gol. Kjo paraqitje fantastike nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Mourinho, i cili e kërkoi m ngulm te United. Ai u zgjodh lojtari më i mirë në Bundesliga vitin e kaluar. Në letër të paktën, United ka bërë një ujdi më të mirë.