Mitrovica premton maksimumin e mundshëm ndaj gjigantit gjerman

Futbollistet e Mitrovicës do të japin gjithçka nga vetja për një paraqitje të denjë ndaj gjigantit gjerman, Wolfsburg, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve. Por mungesat ia kanë vështirësuar punët trajnerit Seid Onbashi, para sfidës së parë të 1\16 së finales së Championsit.

Liridona Syla, Edona Kryeziu e Mimoza Islami nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Onbashi për ndeshjen e parë ndaj Wolfsburgut, që është prej skuadrave më të mëdha evropiane të futbollisteve, shkruan sot Koha Ditore.

Ndeshja Mitrovica – Wolfsburg zhvillohet të mërkurën (sot) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 18:00. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas dy javësh në Wolfsburg.

Në të vërtetë, Mitrovica tashmë ka tejkaluar synimet për këtë edicion në garën evropiane të klubeve të futbollit të femrave. Derisa kishte synimet për të marrë ndonjë pikë në raundin kualifikues, befasoi edhe veten duke fituar grupin dhe duke kaluar në fazën nokaut.

Është hera e parë që një skuadër kosovare luan në fazën nokaut të Championsit. Me suksesin e Mitrovicës, futbolli i femrave në vend ka prekur nivele të reja.

Por kampionia kosovare nuk kishte fat në short. Përballë e ka Wolfsburgun, që Championsin e ka fituar dy herë, ndërsa ka edhe pesë tituj të Gjermanisë, duke përfshirë tre të fundit.