Ministrja e Brendshme e Britanisë: Serbia probleme me krimin dhe korrupsionin

Ministrja e Brendshme e Britanisë, Theresa May, ka deklaruar sot se vende të tilla si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia nuk mund të bashkohen me Bashkimin Evropian.

Ajo e argumentoi qëndrimin e saj duke i cilësuar vende të tilla “si të varfra, me probleme serioze të krimit të organizuar, korrupsionit dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin”. “Duhet të pyesim nëse është vërtet e drejtë që BE duhet thjesht të vazhdojë të zgjerohet duke u dhënë anëtarëve të rinj të njëjtat të drejta me themeluesit e unionit?” citon faqja britanike “Express”

Një tjetër konservator, pro daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, Iain Duncan, tha se mbështet deklaratat e Ministres së Brendshme. “Sekretarja për Punët e Brendshme ka të drejtë që shqetësohet nga vende të rrezikshme si Shqipëria apo Turqia që mund të lejohen të hyjnë në BE. Nëse këto vende lejohen të bëhen pjese e BE-së, ata do të jenë një rëndesë më shumë për sistemin tonë të mbrojtjes për shkollat dhe shtëpitë tona. Është vetëm një rritje e rrezikut të shtimit të kriminalitetit dhe terrorizmit në rrugët tona”, tha ai cituar nga mediat britanike.

“Pas kësaj deklaratë të sekretares, May, a nuk duhet të dalë kryeministri dhe të shpjegojë nëse është dakord me qëndrimet e ministres së tij të Brendshme? Nëse ai nuk e bën këtë, duhet të shpjegojë qartë pse nuk pajtohet”, tha Smith.

Mediat britanike shtrojnë pyetjen nëse pas këtyre deklaratave, kryeministri David Cameron do të vërë veton për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE. “A do të vërë veton kryeministri për zgjerimin e Bashkimit Evropian me Shqipërinë, Maqedoninë, Mali e Zi, Serbinë dhe Turqinë në të gjitha rrethanat”, pyesin mediat britanike.