Ministria e Sportit ndan 371 mijë euro për FFK-në

107

Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit të Kosovës (MKRS), në kuadër të memorandumeve të nënshkruara me federata të sportit të Kosovës, sot ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) per te cilen ka ndarë 371 mijë euro për Federatën e Futbollit të Kosovës.

MKRS përmes një njoftimi ka konfirmuar nënshkrimin e memorandumit mes MKRS-së dhe FFK-së.

“MKRS-ja nëpërmjet memorandumeve të bashkëpunimit, që po nënshkruan me federatat e sportit të Kosovës, po ndihmon pavarësimin financiar të tyre, si dhe po krijon lehtësira që ato të funksionojnë me efikasitet sa më të plotë. Nëpërmjet këtij Memorandum Bashkëpunimi, MKRS-ja subvencionon FFK-në me 371 mijë euro për programin e këtij viti”, është thënë në njoftimin e MKRS-së.

Sipas këtij njoftimi, Ministri i Sportit, Kujtim Shala, përgëzoi FFK-në për punën dhe aktivitet e shumta në funksion të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e MKRS-së që të ndihmojë në vazhdimësi FFK-në në rrugën e ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, ashtu sikurse edhe në ngritjen cilësore të tij.

E, kryetari i FKK-së Fadil Vokrri, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e suksesshëm, dhe për punën që po bën në fushën e sportit, me investimet e shumta në infrastrukturë dhe me memorandumet, me çka janë krijuar lehtësira për veprimtarinë e federatës dhe për avancimin cilësor të futbollit të Kosovës. /KosovaPress/