Ministria e Bujqësisë e Kosovës thërret fermerët të aplikojnë për grante

84
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për disa masa mbështetëse përmes granteve investive për fermerët në gjithë territorin e Kosovës.

Aplikimet janë hapur për përkrahjen në investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në sektorin e qumështit, pemëve, serrave, të mishit, të vezëve, si dhe investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore.

Njoftimi i dërguar thekson se, gjatë periudhës për aplikim, e cila zgjatë mbi 40 ditë që nga dita e hapjes, fermerët dhe agrobizneset mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të këtyre masave, duke u bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program dhe që janë publike në faqen e Ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Buxheti për programin për bujqësi dhe zhvillim rural, si dhe programin për pagesa direkte sivjet arrin në 46 milionë euro, nga të cilat 23 milionë janë planifikuar të ndahen për grante investive dhe 23 milionë për pagesa direkte. Në krahasim me vitin e kaluar buxheti këtë vit është 3 milionë më i madh.

Ministria e Bujqësisë ka lehtësuar disa procedura rreth aplikimit dhe vlerësimit me qëllim të krijimit të mundësive për fermerët për të përfituar nga masat mbështetëse të ministrisë.