Ministri Bajrami ndan çmimin vjetor për mësimdhënësin e dalluar të vitit

162

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ndarë sot çmimin vjetor “Shaban Jashari” për mësimdhënësin e dalluar të vitit, i cili këtë vit i është ndarë mësueses Kimete Dida, nga shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, transmeton KosovaPress.

Ky çmim është ndarë për performancën pozitive të mësimdhënësit model, komunikimit të dalluar me nxënës, prindër dhe rezultate të mira. Gjithashtu, ministri ndau mirënjohje edhe për mësimdhënës të tjerë të dalluar, nga një mësimdhënës për secilën komunë.

Këto mirënjohje u ndanë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nga ku ministri Bajrami uroi mësimdhënësit në gjithë Kosovën për këtë ditë të veçantë

Mësuesja, e cila mori çmimin “Shaban Jashari”, Kimete Dida, u shpreh mirënjohëse për këtë çmim, për të cilin tha se i jep fuqi për të vazhduar edhe më tutje me përkushtim në misionin e shenjtë të edukimit të brezit të ri. “Ne arsimtarët duhet të jemi koshient për rolin që kemi në transformimin e shoqërisë sonë duke punuar me nxënësit tanë në zbatimin e parimeve etike, humaniste, të sinqeritetit, ndershmërisë dhe sjelljes e kulturës, që janë bazë për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe prosperuese”, tha ajo. /KosovaPress/