Ministrat e Mustafës i duartrokasin thirrjes “Kosova është zemra e Serbisë”

164

Brenda 7 ditësh, në Kosovë kanë qëndruar kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq dhe zëvendësi i tij, njëkohësisht ministri i jashtëm, Ivica Daçiq.

I pari, udhëheqës i Partisë Progresive Serbe dhe Daçiq i asaj socialiste, në Kosovë kanë ardhur si pjesë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Serbi, raporton KTV.

Tjetri, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pothuajse çdo javë i viziton serbët e ndonjë qyteti të Kosovës.

Këtë javë ka qëndruar në Gorazhdec të Pejës e në Llapnasellë ka nisur një investim në vlerë prej më shumë se 2 milionë euro të Qeverisë së Serbisë.

Gjatë tërë kohës, Gjuriq në krah e ka pasur ministrin për kthim dhe komunitete në Qeverinë e Kosovës, Delibor Jevtiq.

Javë më parë, ministrat e Isa Mustafës dhe zëvendësi i tij, Branimir Stojanoviq, u panë të ngazëllyer duke duartrokitur për thirrjen “Kosova është zemra e Serbisë” në Mitrovicën Veriore.

KTV-ja ka provuar gjatë tërë ditës të kontaktojë me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së ministrave të Qeverisë Mustafa në tubimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, por ai nuk është përgjigjur në telefon. Kryeministri Mustafa javën e kaluar tha se vizita e homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq nuk paraqet për të asnjë problem derisa ende nuk është deklaruar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë në Kosovë hyjnë me leje që marrin nga Ministria e Jashtme, bazuar në Ligjin për të Huajt.

Një zyrtar qeveritar i ka thënë KTV-së se e kanë të pamundur të bëjnë diçka.

“Ata zyrtarisht nuk po vijnë për fushatë, por leje po kërkojnë në bazë të nenit 31, pika 1.4 dhe 1.5 të Ligjit për të huajt, prandaj është e vështirë që të argumentohet sidomos pika 1.5”, ka thënë ky zyrtar për KTV-në.

Sipas kësaj pike, hyrja i lejohet kujtdo që nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik dhe shëndetit publik në Republikën e Kosovës.

Megjithëkëtë, të gjithë kanë dhënë deklarata të fuqishme, në krye me Vuçiqin, i cili tha se Trepça është e Serbisë dhe në të do të investojë qeveria e tij.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, i ka thënë KTV-së në muajin janar se e vetmja mënyrë se si serbët e Kosovës do të mund të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, është përmes Zyrës ndërlidhëse të shtetit fqinj në Kosovë.

Por, OSBE-ja tashmë është shprehur e gatshme të ndihmojë.

“OSBE-ja e ka pranuar një kërkesë nga Beogradi qysh para një muaji. Sidoqoftë, forma përfundimtare e mbështetjes sonë nuk dihet akoma. Jemi në bisedime me palët dhe shpresojmë se ditëve në vijim do t’i kemi të gjitha përgjigjet”, thuhet në një përgjigje të misionit për KTV-në.