Militantët kurdë marrin përsipër sulmin në Ankara, Gjermania mbyll ambasadën

98

Sulmi kamikaz që vrau 37 njerëz në Ankara disa ditë më parë është marrë përsipër nga grupi militant nacionalist i “Falkonëve kurdë të Lirisë”.

“Falkonjtë kurdë të Lirisë” janë një degë e “Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit” të cilët qeveria e Ankarasë i konsideron një organizatë terroriste.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tyre zyrtare në internet, militantët kanë shkruar se sulmi ishte një kundërpërgjigje ndaj operacioneve ushtarake të ndërmarra në rajonin jug-lindor të Turqisë ndaj popullsisë kurde.

Marrja përsipër e sulmit nga “Falkonjtë Kurdë të Lirisë” vërteton edhe hetimet e kryera nga qeveria e Ankarasë, e cila deklaroi më herët se shpërthimet ishin marrë nga militantët që kërkojnë autonominë e rajonit jug-lindor të vendit. Autoritetet kanë mundur që të vendosin në pranga 11 persona të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në kryerjen e shpërthimit.

Shpërthimet me eksploziv kanë qenë mjaft të shpeshta në Turqi përgjatë muajve të fundit duke krijuar një situatë disi të destabilizuar. Arsyet e sulmeve të njëpasnjëshme kanë qenë të shumta, por më kryesorët mbeten shpërthimet kamikaze të kurdëve. Këta të fundit kërkojnë autonominë e rajonit jug-lindor të vendit. Ndërkohë, një pjesë tjetër e sulmeve janë kryer edhe nga militantët e Shtetit Islamik të cilët kanë shfrytëzuar krizën e emigrantëve për të depërtuar me lehtësi në territorin turk.

Ndërkohë Gjermania ka mbyllur ambasadën në Ankara si dhe konsullatën dhe një shkollë në Stamboll nga frika e ndonjë sulmi tjetër. Ministria e jashtme thotë se ka marrë “Një paralajmërim të pakonfirmuar”./KosovaPress/