Milicaj ka një mesazh për rivalët e Feronikelit

Njëri nga futbollistët më të mirë të Feronikelit edicionin e kaluar, anësori Mark Milicaj beson se ekipi i tij edhe në kampionatin e ri do ta thotë fjalën kryesore.

”Feronikeli dallon nga skuadrat tjera të Superligës, duke filluar nga atmosfera e jashtëzakonshme brenda ekipit, pastaj komponimi shumë i mirë i lojtarëve, organizimi i shkëlqyer në klub, kushtet fenomenale për punë dhe natyrisht cilësia e lojtarëve. Kur mblidhen të gjitha del se jemi një hap para ekipeve tjera”, theksoi Milicaj.

Kjo deklaratë e Milicajt i adresohet në veçanti skuadrave rivale për titull, Prishtinës e Besës, por edhe kipeve tjera që pretendojnë trofeun e më të mirit. Kujtojmë se ishte Besa që para dy edicionesh kishte paguar edhe dëmshpërblim për ta transferuar Milicajn nga Istogu, derisa tani merr “kërcënim” serioz nga futbollisti klinas, shkruan Gazeta Sheshi.

Ndryshe, skuadra nga Drenasi po zhvillon përgatitjet në Ohër, derisa dje fitoi duelin e parë miqësor jashtë vendit, pasi mundi 3:1 Strugën. Ekipi i Afrim Tovërlanit takimin e radhës e zhvillon me Renovën.