Mesazhi i çuditshëm nga Perez për Zidanen

149

“Jemi duke i ngatërruar”. Ky rrëfim enigmatik i Florentino Perezit ndaj teknikut Zinedine Zidane u “kap” dje nga kamerat e “Deportes Cuatro”-s gjatë seancës stërvitore të Real Madridit në Kanada. Presidenti i klubit madrilen shtoi: “Ende nuk është mbyllur asgjë.” Në Spanjë videoja e kësaj bisede të shkurtër ka krijuar një mister të madh. Ky, faktikisht, është një mesazh deri-diku i çuditshëm i Perezit për francezin “Zizu” fiks disa orë pas njoftimit se një nga synimet e klubit, Andre Gomes, u transferua te Barcelona.

https://www.youtube.com/watch?v=TSk-s6Z_hrQ
Kalimi i portugezit te katalanasit ndodhi në orën 18:00, menjëherë pasi Real Madridi u dha fund negociatave me Valencian për transferimin e mesfushorit në “Santiago Bernabeu”. Mediet madrilene shkruajnë prej dy ditësh se Perez zgjodhi vetë të mos ofrojë aq sa donte Valencia, jo se humbi betejën me Barcelonën. Mbase ky është shpjegimi më i mundshëm i arsyes pse numri 1 i “Galaktikëve” lajmëroi trajnerin e tij se po ngatërron … Barcelonën (supozohet).

Pra, me një fjalë, mbase Real Madridi ka hyrë në negociata për Gomesin vetëm që të detyrojë rivalët të paguajnë sa më shumë për kampionin e saposhpallur të Evropës. “Marca” sot zbuloi se Gomes do t’i kushtojë deri në 70 milionë euro Barcelonës dhe kjo blerje po e pengon të blejë një sulmues klasi. Mision i kryer, nëse e kishe me qëllim, Perez!