Merkel nuk heq dorë nga politika e dyerve të hapura ndaj refugjatëve

Angela Merkel ndërpreu pushimet për t’u përballur me pyetjet e medieve mbi sulmet e dhunshme që kanë tronditur së fundmi Gjermaninë.

Kancelarja, e vënë nën një trysni të shtuar kohët e fundit prej episodeve të tilla, u detyrua të mbronte politikën e saj të dyerve të hapura për refugjatët.

Dy prej sulmeve u kryen nga azilkërkues, për të cilët Merkel tha se kanë hedhur hijen e turpit mbi vendin që i mikpriti, por sërish shtoi se njerëzve që i largohen dhunës e persekutimit, i nevojitet mbrojtje.

Shefja e ekzekutivit propozoi masa të reja sigurie, ndarje të informacionit me shërbimet e tjera të inteligjencës, dëshifrimin e bisedave në internet, kontrollin e shitjes së armëve “online” dhe përmirësimin e reagimit ndaj episodeve të dhunës.

“Gjermania do t’iu qëndrojë parimeve të saj për t’i ofruar strehim kujtdo që e meriton. Sulmet treguan se tabutë e civilizimit janë thyer. Si goditjet në Gjermani, ashtu dhe ato në Nicë e Rouen të Francës kanë pasur një qëllim të qartë: përhapjen e frikës dhe urrejtjes mes kulturave e mes besimeve fetare”, tha Merkel.

Pavarësisht nëse sulmet në Würzburg, Mynih, Reutlingen apo Ansbach janë kryer nga refugjatët apo kanë sfond islamik, gjë që do ta përcaktojnë saktësisht hetimet, shumë gjermanë nuk duan ta bëjnë diferencimin dhe të huajt, – emigrantë, refugjatë, gjermano-iranianë – i fusin tashmë që të gjithë në një kallëp.

Pas një viti, në Gjermani zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe, nëse Merkeli do të kandidojë sërish për kancelare, kjo mund të varet në mënyrë thelbësore nga zhvillimet e mëtejshme në çështjen aq komplese të refugjatëve.