Merkato, Zidan ‘sherr’ me Perezin

109

Zinedin Zidane ka pak kohë që ka nisur aventurën e tij të parë si trajner, duke marrë drejtimin e Realit të Madridit, por ka mjaftuar që të tregojë se ka shumë autoritet. Mësohet se francezi ka pasur një debat të ashpër me presidentin e klubit, Florentino Perez, pak kohë më parë.

Të dy janë takuar për të vendosur objektivat e merkatos dhe të ardhmen e disa lojtarëve aktualë të ekipit. Gjatë bisedës, nuk kanë pasur të njëjtin mendim për disa futbollistë, çka ka krijuar edhe në përplasje serioze. Sipas burimeve të afërta me klubin merenges, takimi është mbyllur me nervozizëm dhe secili ka qenë i patundur në dëshirat e tij. Ja cilat kanë qenë arsyet e konfliktit mes tyre:

Portieri Perez ka njoftuar Zizun se në fund të edicionit do vijë David de Gea, i cili po kalon një moment të shkëlqyer me Mançester Junajtid. Portieri spanjoll ishte shumë pranë transferimit edhe verën e kaluar, por dështoi për shkak të vonesave në dokumentacion.

Presidenti i Realit i ka komunikuar trajnerit që gardiani do vijë, pasi është arritur një marrëveshje paraprake, ndërkohë që Kejlor Navas do largohet. Por, francezi nuk ka pranuar. Ai ka kërkuar që të qëndrojë portieri aktual, me të cilin është shumë i kënaqur.

“Nuk dua një trajner që ka nevojë për t’u ambientuar. Kejlor është i shkëlqyer dhe nuk dua portier tjetër”, më- sohet t’i ketë thënë Zidan. Por, Florentino ia ka prerë shkurt se kjo lëvizje nuk diskutohet.

Pol Pogba Një tjetër futbollist për të cilin dy krerët e klubit kanë debatuar, është mesfushori i Juventusit. Zinedin i ka njoftuar se e dëshiron patjetër për qendrën e mesfushës. Sipas tij, Pol ka potencë, teknikë dhe shtatlartësinë që i nevojitet patjetër për dyluftimet e topit të parë. Ndërkohë, numri 1 i madrilenëve nuk ka pasur asnjë dyshim për aftësitë e Pogbasë, por nuk ka pranuar të realizojë transferimin për shkak të menaxherit.

“Ai futbollist është shumë cilësor. Por problemi qëndron me përfaqë- suesin e tij. Mino Raiola nuk ka për të pasur kurrë tratativa me klubin tonë. Kemi pasur probleme në të shkuarën dhe nuk i përshtatet filozofisë sonë. Është njeri konfliktual në media dhe objektivat e tij për të përfituar gjithnjë e më shumë financiarisht mund të ndikojnë negativisht në harmoninë e grupit.

Për sa kohë që Pogba do ketë atë menaxher, ne nuk do hyjmë në tratativa”, ka qenë fjalia e Perezit. Por, Zidan gjithashtu ka qenë i prerë në përgjigjen e tij: “E dua atë futbollist. Unë nuk hyj në problemet tuaja. Besoj se është i duhuri dhe e kam të vështirë të gjej dikë tjetër që i ngjason. Zgjedhja ime për qendrën e mesfushës është Pol”.

Eden Hazard Cilësohet si futbollisti i preferuar i Zinedinit. Thurte elozhe për belgun që kur ky i fundit luante me Lilën. E cilëson të domosdoshëm në skuadrën e tij, për t’i zënë vendin Hames Rodrigezit, që ka bërë gati valixhet. Por, edhe në këtë rast, nuk ka munguar përplasja me Perezin, i cili e shikon mesfushorin si të mbivlerësuar në merkato.

Sipas tij, Eden nuk meriton shifra të majme për kartonin, duke iu referuar edhe pretendimeve të Çelsit. Ndërkohë, Zidan ka garantuar se Hazard është i aftë të bëjë diferencën lehtësisht në kampionatin spanjoll.

Aubamejang Reali po kërkon një tjetër bomber që do rivalizojë Benzemanë për një vend në formacion. Presidenti ka përzgjedhur Aubamejangun e Dortmundit që po zhvillon një edicion fenomenal. Por, trajneri francez dëshiron që t’i japë më tepër besim talentit Borja Majoral edicionin e ardhshëm, duke qenë se edhe ai është paraqitur mirë sivjet, sa herë që ka luajtur në vendin e Benzemasë.

Sipas Zizusë, një bomber që do kushtonte shumë para, do krijonte presion artificial për formacionin dhe nuk do dëshironte që të përballej me një situatë të tillë. Për të, do ishte më në harmoni të grupit që të qëndronte Benzema dhe Majoral si kandidatë për të luajtur si numër “9”. Tre emra në merkato, të cilët kanë nxitur një debat mes trajnerit dhe presidentit. Në fakt, konflikte të tilla kanë pasur fate të ngjashme në të shkuarën. Kushdo që ka sfiduar apo është rebeluar kundrejt dëshirave të Perezit, është shkarkuar…

/Panorama Sport/