“Më larguan me SMS, ende nuk i di arsyet” – Visoka rrëfehet për largimin nga Vitia!

Klubi Futbollistik “Vitia” dhe Megzon Visoka kanë ndërprerë bashkëpunimin pas dhjetë ndeshjeve në stinorin vjeshtor. Ani pse skuadra nga “Anamorava” ndodhet vetëm një pikë prapa kreut, drejtuesit e klubit tashmë i kanë konfirmuar teknikut kryeqyetas se është i lirë për të vijuar bashkëpunimin, shkruan Gazetasheshi.com.

Përmes faqes zyrtare, klubi nuk ka bërë të ditur detaje për mbylljen e këtij bashkëpunimi, teksa vetë tekniku Visoka është ndjerë i befasuar me atë se çfarë ka parë.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetën “Sheshi”, Visoka tha se është shkarkuar me një mesazh nga presidenti i klubit, megjithëse ishin dakorduar për të vazhduar edhe më tej, pavarësisht barazimit ndaj Ulpianës 0-0.

“Të them të drejtem nuk e kam pritur aspak këtë vendim të klubit, duke u bazuar në rezultatet dhe përformancat e treguara gjatë këtyre 10 ndeshjeve. Pas ndeshjes së sotme patëm një takim të zakonshëm me presidentin Florent Emini, drejtorin sportiv, Afet Dalloshi dhe anetarët e tjerë të kryesisë, me ç’rast biseduam për ndeshjen e sotme kundër Ulpianës dhe ndeshjeve të tjera në përgjithësi, ku ndër të tjera darkuam se bashku. Ndërsa me të arritur në Prishtinë, në shtepi më kumtohet lajmi i shkarkimit me ane të një mesazhi”, deklaroi fillimisht Visoka.

ZYRTARE: Megzon Visoka merr drejtimin e FC Vitisë | Gazeta Sheshi
“Arsyet e shkarkimit i din më mirë kryesia e klubit, ajo çfarë unë mund të them është se FC Vitia ështe në luftë për kreun e tabelës dhe është një skuadër mjaft serioze, gjë e cila veçse është dëshmuar gjatë këtyre 10 gjirove dhe merita është e të gjithëve duke filluar nga futbollistët, stafi teknik (me mua dhe asistentin Petrit Rushiti si dhe trajnerin e portierëve Artan Sadriu) dhe meritë e kryesisë së klubit me në krye presidentin Florent Emini. Më larguan pas 8 ndeshjeve pa humbje dhe në luftë për kreun e tabelës, gjegjësisht hyrjen në Superligë. Klubit dhe futbollistëve ju deshirojë shumë suksese në vazhdim dhe u uroj ti arrijnë objektivat”.

“Unë dua t’i falenderoj për bashkepunimin futbollistët, presidentin Florent Emini dhe drejtorin sportiv Afet Dalloshin, përfundoi Visoka për Gazetën “Sheshi”.

Vitia ndodhet në pozitën e tretë të renditjes tabelare në Grupin B të Ligës së Parë, teksa ndodhet prapa liderit Dardana vetëm një pikë.

Visoka kishte marrë drejtimin e skuadrës në prag të fillimit të këtij edicioni, derisa në dhjetë xhiro regjistroi katër fitore, katër barazime dhe dy disfata.

/Gazeta Sheshi/