‘Mbretër’ të përkohshëm

195

Klubet kosovare funksionojnë sot për nesër. Ato, në përjashtim të një ose dy prej tyre, nuk kanë kurrfarë strategjie, duke u kënaqur vetëm duke e “shijuar momentin”.

E kanë një sezon të mirë, duke i përdorur të gjitha forcat për t’u bërë kampionë, ndërsa në edicionin pasues ose bien prej ligës, përfundojnë në krizë të thellë, apo më ekstremja – shuhen krejt.

Në të kaluarën ka pasur jo pak raste të tilla. Fillimisht Hysi, pastaj Besiana, apo edhe Llamkos Kosova, skuadra këto që e dominonin futbollin kosovar në epokën e tyre, por që pas një kohe të shkurtër e merrnin teposhtëzën, pa ditur të ngrihen më.

E rasti më i freskët është ai i Hajvalisë. Skuadra prishtinase u organizua fort në dy vitet e fundit, madje duke luftuar edhe për titull të kampionit në edicionin që shkoi, të cilin e mbylli si nënkampion, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.

Mirëpo, klubi bardhekuq u shkapërderdh brenda pak javësh pasi kryesia e klubit përfundoi në “gjumë të thellë” gjatë kësaj vere. Ikën lojtarët, u largua edhe trajneri, ndërsa në fund edhe drejtori sportiv.

E njohësit e futbollit thonë se problemi kryesor qëndron në faktin se klubet nuk punojnë me plane afatgjate dhe për këtë nuk kanë qëndrueshmëri financiare. Gjithashtu, mungesa e lehtësimeve në tatim nga shteti, bën që donatorët të tërhiqen nga futbolli kosovar.

“Duhet ditur se këta donatorë kanë dhënë shumë para për futbollin kosovar, ndërsa nuk e kanë nxjerrë as 50 përqindëshin e parave të derdhura. Ata janë zbrazur, janë dorëzuar, janë lodhur”, thotë për “Zërin” trajneri Hysni Maxhuni.

“Shteti duhet të merret me këtë punë, që në mënyrë ligjore t‘u ndihmojë klubeve duke ua hequr tatimet donatorëve. Definitivisht, deri tash shteti e ka anashkaluar sportin. Fatin e Hysit, Besianës apo Llamkosit, pas një viti, dy apo tre mund ta kenë edhe Feronikeli, apo edhe Prishtina, pasi donatorët lodhen duke shpenzuar e pa pasur përfitime”, vazhdoi ai.

Edhe trajneri Fahredin Duraku këshillon drejtuesit e klubeve të shohin larg, pasi në këtë mënyrë po shkatërrohen klubet.

“Mendoj se klubet duhet të kenë plane afatgjate, e jo të punojnë sot për nesër. Donatorët duhet të kenë durim, pasi nuk mund t’i nxjerrin paratë që i shpenzojnë, brenda një viti. Në futbollin tonë nuk shënohet asgjë me laps. Por, edhe donatorët duhet të kenë lehtësime në tatim nga shteti pasi nuk është në rregull të shpenzosh pa përfituar asgjë”, shpjegon ai.

Trajneri mitrovicas mendon se edhe Federata e Futbollit të Kosovës duhet t’ju dalë në krahë klubeve, kur ato kanë nevojë, shkruan Zëri.

“Federata është si një prind që përkujdeset për të vegjlit. Edhe FFK ka përgjegjësi të ndihmojë. Federata është mbikëqyrëse dhe duhet t’i ndihmojë financiarisht klubet që janë në krizë apo që janë pranë shuarjes. Federata duhet ta ketë buxhetin për këtë aspekt”, mendon ai.

Njëjtë mendon edhe trajneri Fetah Veliu, i cili mendon se shtëpia e futbollit kosovar duhet të gjejë zgjidhje për klubet, kur ato kanë nevojë, pasi ato funksionojnë nën ombrellën e saj.

“Rol në mbarëvajtjen e garave dhe funksionimin e garave dhe klubeve ka FFK-ja dhe zbatimi i ligjit për sponsorizim. FFK duhet t’i vë kriteret në korrelacion me standardet e licencimit të klubeve dhe garat evropiane”, thotë Veliu.

Trajneri i ri, Arsim Plepolli, thotë se duhet gjetur zgjidhje për t’i ndihmuar klubet në krizë, siç është rasti i fundit me Hajvalinë.

“Gjithçka varet nga menaxhimi. Kuptohet që është vështirë ta mbajnë një klub vetëm dy donatorë. Duhet bërë çmos për ta ndihmuar atë klub që ka nevojë, sepse, nëse shuhet, do të ishte shumë keq për të gjithë sportdashësit. Shpresoj të gjendet një zgjidhje dhe të ndihmohet në këtë rast Hajvalia”, u shpreh Plepolli.