Matic shlyen borxhet e fshatit të tij

109

Nemanja Matic duhet marrë shembull. Futbollisti serb i Chelseat është shndërruar në një hero në fshatin Vrelos në Serbi, ku u rrit dhe hodhi hapat e parë drejt një karriere fantastike.

Ky fshat ka një popullsi prej 1600 banorësh dhe mesfushori i bluve të Londrës paguan të gjitha borxhet që këta banorë kanë në marketin e fshatit. Diçka të tillë ai e bën prej vitesh, madje ka kontribuuar në ndërtimin e shkollave për këtë komunitet, transmeton Panorama Sport.

Për ta konfirmuar diçka të tillë ka qenë punëtorja e marketit, Liljana Popovic, e cila thotë se Matic shkon gjithmonë në market dhe sheh listën e shpenzimeve që kanë bërë banorët. “Gjëja e parë që bën Matic kur vjen në fshat është vizita në marketin e zonës.

Ai pyet gjithmonë për listën e borxheve që kanë këta banorë. Duhet thënë se ky komunitet është shumë i varfër dhe blejnë vetëm produktet bazë. Ai i shlyen të gjitha borxhet e tyre”, thotë Liljana. Për mesfushorin e Chelseat ka folur edhe drejtori i shkollës.

“Ai na ka ndihmuar shumë me aksesorë sportivë, të cilat u shërbejnë fëmijëve për të zhvilluar orën e fizkulturës”, ka thënë Bosko Saric.