Mata: Futbolli, paga idiote

150

Që futbolli ka arritur nivele shpenzimesh marramendëse dhe është shndërruar në një industri tepër fitimprurëse, kjo dihej, por befason fakti se pikërisht një futbollist me emër kritikon pagat e çmendura për të dhe kolegët e tij.

Sinqeritet habitës ai i spanjollit Juan Manuel Mata, i cili ka pranuar se pagat e futbollistëve profesionistë janë “idiote” dhe ai e kolegët e tij “jetojnë në një tullumbace”. Ylli i Manchester United paguhet rreth 7 milionë paund në vit, një shifër stratosferike krahasuar me shumicën e njerëzve në botë dhe këtë vetë Mata e pranon: “Futbolli ka paga të frikshme, duket sikur jetojmë në një tullumbace.

Krahasuar me pjesën tjetër të shoqërisë, ne fitojmë shifra të çmendura, është diçka pa logjikë. Krahasuar me 99.9% të spanjollëve, unë kam një pagë absurde”. Spanjolli i ka thënë këto fjalë për një program televiziv në Spanjë dhe ndër të tjera ka shtuar se futbolli është bërë tepër komercial, ndërsa disa lojtarë të rinj janë bërë arrogantë pas kalimit në futbollin profesionist dhe pagave të larta që marrin:

“Duket sikur biznesi i futbollit ka ndryshuar përgjithmonë dhe pronarët janë më të rëndësishëm se tifozët. Çdo lojtar mendon se është Maradona, kur shkon në një klub të madh, por kjo ndodh sidomos me ata të rinjtë në moshë. Sheh fëmijë që sillen si yje roku, veshin rroba ekstravagante, ngasin makina superluksoze dhe ndoshta u duhet folur pak”.