Mancini: Interi ka lindur për të fituar

124

Vigjilja e sfidës me Torinon u përjetua ndryshe në ambientin zikaltër. Interi ka besim në aftësitë e veta dhe tani i beson më shumë se kurrë vendit të tretë.

Dje, gjatë konferencës për shtyp, Roberto Mancini tha se paraqitjet e ekipit të tij përpara pushimit të kombëtareve i japin mjaft shpresa për të ardhmen, transmeton Panorama Sport.

A e shikon ekipin më të pjekur?

Sigurisht që po. Fitoret që kemi bërë na kanë ndihmuar shumë. Do të ishte mirë që të mos kishim pushuar këto ditë. Tani nuk kemi shumë zgjedhje. Duhet që të fitojmë një pjesë të mirë të tetë takimeve që kanë mbetur. Roma është përpara nesh, por edhe ato kanë ndeshje të vështira.

Sa frustrues është fakti që ju edhe nëse i fitoni të gjitha, mund të mos arrini Champions-in?

Jemi prapa tyre, prandaj them se duhet të fitojmë shumë ndeshje. Jam i bindur se po të bëjmë kështu si them unë, do të arrijmë ku duam.

A rrezikon Ederi që të humbasë kombëtaren?

Nuk e di, pyesni Konten. Unë di se Eder bën lëvizjet e duhura në fushë dhe se e njeh shumë mirë futbollin. Nuk kishte shumë fat, pasi mbërriti në një moment të vështirë te ne, por unë them se do të shënojë gola.

Sot (dje) e mbajtët konferencën më herët se zakonisht sepse doje që të flisje me Tohirin?

Jo, vetëm doja që të mbaronim punë shpejt (qesh).

A është e vërtetë që Interi do të bëjë shitje të rëndësishme nëse nuk arrin Champions-in?

Nuk e di nëse do të na duhet që të bëjmë sakrifica në merkato. Di vetëm që ne jemi Interi dhe na duhet që të përmirësohemi gjithmonë.

Çfarë ka ndodhur tani me Interin që është kthyer sërish një ekip fitues?

Të gjithë skuadrat kanë pasur momente negative. Ne në fillim kishim shumë vështirësi që të “vrisnim” ndeshjet. Është normale që tani jemi mirë sërish.

Cilat janë cilësitë e Torinos?

Kundër atyre kurrë nuk kemi pasur jetë të lehtë. Torino ka një ekip që të vendos në vështirësi. Ventura dhe lojtarët janë të një klasi të mirë.

A pret më shumë përqendrim nga mbrojtësit?

Mbrojtja bën atë çfarë mundet. Në Romë luajti mirë, por e pagoi shtrenjtë faktin që ne u zmbrapsëm shumë. Nëse ai repart do të kthehej ai i pakalueshmi i fillimsezonit, do të ishte perfekte.

Si mendon, cila mes Romës dhe Interit është e favorizuar nga kalendari i ndeshjeve të mbetura?

Më duket se 4-5 rivale do t’i sfidojmë si ne dhe Roma. Nuk i bëj të tilla llogari, pasi them se ne jemi të lindur për të fituar. Duhet t’i fitojmë të gjitha.