Majlinda nuk e feston medaljen e artë, kjo është arsyeja

236

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre, Driton Kuka, po i shijojnë në maksimum dy medaljet që i fituan në Kampionatin Evropian të xhudos, që u mbajt në Rusi, me të cilat bënë krenarë gjithë Kosovën, e po ashtu bënë që Rusia t’i respektojë simbolet shtetërore të vendit tonë, pavarësinë e të cilit gjithnjë e kundërshton ashpër.

Mirëpo, ekipi kosovar i xhudos nuk e ka ndërmend t’i festojë edhe aq gjatë medaljen e artë të Majlindës dhe të bronztën e Norës. Kjo pasi Driton Kuka me dy xhudistet e tij, që tashmë edhe matematikisht janë kualifikuar në “Rio 2016”, planifikojnë një fazë të madhe përgatitore për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike që mban gjatë verës në Brazil.

E vërteta është se ky ekip deri më tani ka fituar plot medalje në arenën ndërkombëtare. Secila prej tyre është më e rëndësishme se tjetra. Krejt çka i mungon këtij ekipi fantastik është një medalje olimpike, të cilën Majlinda, Nora dhe Dritoni besojnë shumë se do ta fitojnë qysh në debutimin e Kosovës në Olimpiadë.

“Tashmë ne i kemi siguruar dy norma olimpike. Majlinda dhe Nora janë të kualifikuara. Besoj se nëse gjithçka shkon siç duhet, vlerat flasin në anën tonë dhe do të kthehemi me medalje edhe nga Rio”, ka deklaruar Kuka për “Zërin”.

“Majlinda është favorite për të fituar medalje të artë edhe në Rio. Por, edhe Nora ka gjasa reale të fitojë medalje olimpike. Dita-ditës forma e saj po shënon ngritje. Pas këtij Kampionati Evropian, Majlinda dhe Nora ndihen shumë të relaksuar. Duam që së paku me një medalje të kthehemi nga Rio, sepse kjo do të ishte një ëndërr e realizuar”, ka theksuar Kuka.

Majlinda e Nora: Në Rio për medalje

Sikurse trajneri i tyre, Driton Kuka, edhe vetë Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova thonë se me të përfunduar Kampionati Evropian i Rusisë vëmendjen e kanë kthyer te gara më e madhe botërore, Olimpiada “Rio 2016”.
Majlinda dhe Nora premtojnë se do të përkushtohen maksimalisht në përgatitje, vetëm e vetëm që t’i sjellin Kosovës medalje edhe nga Lojërat Olimpike.

“Tash jemi të fokusuara 100 për qind vetëm në ‘Rio 2016’. Do të mundohemi maksimalisht që punën, angazhimin, sakrificën tonë t’i kurorëzojmë me medalje olimpike”, ka thënë Majlinda për “Zërin”.
Në anën tjetër, Nora thotë se tani ndihet më e qetë, më e liruar në aspektin psikik, pasi e siguroi kualifikimin në Lojërat Olimpike.

“Tani po ndihem më e relaksuar. Nuk po ndihem e ngarkuar, nuk do të kem nevojë të marr pjesë në të gjitha garat për të grumbulluar pikët, sepse tashmë e kam arritur normën dhe kjo më bën që të ndjehem më e relaksuar dhe më mundëson përgatitje adekuate për Olimpiadë. Është moment fantastik kur e kupton se mundi është shpërblyer”, ka thënë Nora. Madje, ajo potencon se në Rio do të shkojë për të fituar medalje. “Unë do të shkoj atje për të fituar medalje. Ndihem mirë, jam e motivuar, do të punoj akoma më shumë për ta kaluar me sukses sfidën”, ka theksuar Nora.

Ju mirëpret shteti!

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, trajneri Driton Kuka, të shtunën rreth orës 19:30 do të zbresin në aeroportin e Prishtinës, bashkë me dy medalje të fituara në Kampionatin Evropian, në Rusi.

Për dallim prej herëve të kaluara, kësaj radhe ekipi kosovar do të pritet nga zyrtarë të shtetit. Muharrem Sahiti, këshilltari sportiv i ministrit të Sportit, Kujtim Shala, tha se i gjithë kabineti i Ministrisë së Sportit do të jetë në aeroport, në përjashtim të ministrit Shala, i cili do të udhëtojë jashtë vendit, sipas agjendës zyrtare. Por, ai nuk ka mundur të konfirmojë nëse në aeroport do të dalin edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

“Por, e di që të hënën pritet t’i bëhet një pritje e veçantë ekipit të xhudos në institucione, në kryeministri, Ministrinë e Sportit etj.”, tha për “Zërin” Sahiti.