Lulëzojeni ballkonin tuaj dhe në dimër

280

Dimri, megjithë të ftohtin dhe dritën e pamjaftueshme, lejon të kultivojmë mbi ballkone e tarraca lule që sfidojnë temperaturat e ulëta dhe dhurojnë lulëzime delikate dhe gjethe zbukuruese. Bëhet fjalë për Vjollcën, Cineraria, Calecephalus, Gaultheria dhe Festuca.

Vjollca të habit me përshtatshmërinë dhe rezistencën ndaj të ftohtit. Në fakt kultivimet me lule të vogla, kanë një gjethe më të përmbledhur, në formë trëndafili të vogël dhe çel një numër të madh lulesh, më të qëndrueshme dhe që nuk prishen lehtë nga ngrica ndryshe nga lulet e mëdha, siç janë Vjollca e Mendimit e cila është magjike, por delikate. Në vitet e fundit, kanë dalë në treg shumëllojshmëri vjollcash të çdo ngjyre, të pastra apo të kombinuara. Lulëzimi fillon në vjeshtë dhe vazhdon gjatë gjitha dimrit deri në pranverë madje deri në qershor nëse temperatura është e freskët.

Cineraria mund të qëndrojë mbi ballkon gjatë gjithë vitit, por në dimër ndriçimi i pakët i bën gjethet gri, akoma më zbukuruese, shumë të nevojshme për kontrastin me gjethet apo lulet e tjera. Është një barishte me gjethe të qëndrueshme që me kalimin e kohës mund të bëhet një shkurre e vogël, por në ballkon na leverdis më shumë ta mbajmë të vogël dhe me gjethe të njoma. Lulet e verdha janë të pranishme vetëm gjatë verës. Sapo thahen qëndrojnë me bimën edhe për një muaj.

Calecophalus është një shkurre shumëvjeçare me formë të rrumbullakët që në natyrë mund të kalojë një metër e gjysmë lartësi. Në vazo kultivohet më e vogël dhe madje, gjatë dimrit, kombinohet më mirë me bimë të tjera në qoftë se e mbajmë të gjatë 20-30 cm. Gjethet dhe rrënjët janë me ngjyrë gri argjendi dhe gjatë dimrit del më shumë në pah, falë degëve të panumërta e të ndërthurura. Lulet e verdha edhe për këtë bimë janë të pranishme vetëm gjatë verës.

Gautheria është një shkurre shumëvjeçare e shkurtër që nuk kalon 25-30 cm lartësi në se kultivohet në vazo. Shkurrja është shumë kompakte, e degëzuar dhe ndonjëherë varet poshtë. Gjethet e vogla janë të qëndrueshme dhe në vjeshtë/dimër marrin nuanca të kuqërremta. Ngjyra e frutave që prodhon është e kuqe, rezistojnë mbi bimë deri në fund të dimrit. Lulëzimi është jo shumë i bukur dhe elementi më me interes janë frutat e kuqe që shpërndahen në mënyrë uniforme mbi të gjithë shkurren.

Festuca bën pjesë në barishtet zbukuruese dhe falë tufave të saj më ngjyrë gri-blu, bën të mundur dallimin e vazove të dimrit nga ato klasiket. Është një bimë shumëvjeçare që çdo vit ripërtërin tufat e barit dhe më e rëndësishmja kjo bimë nuk ka nevojë për shumë kujdes, gjë që e bën një shoqëruese perfekte të ballkonit tonë në dimër. Veshët e arta të luleve dalin vetëm në verë dhe janë në kontrast të shkëlqyer me gjethet bojëqielli.