Llapi – Feronikeli, Prekazi paralajmëron vendësit

Feronikeli synon ta vazhdojë serinë pozitive dhe të shënojë fitoren e gjashtë radhazi, kësaj radhe në udhëtim te Llapi. Pa dyshim që për skuadrën nga Drenasi nuk do të jetë aspak lehtë për ta arritur këtë qëllim, por qendërmbrojtësi Arbër Prekazi nuk e fsheh optimizmin.

“Përkundër faktit që kampionatin e kemi filluar shumë mirë dhe jemi liderë në tabelë, me përvojën që e kemi po e menaxhojmë shumë mirë situatën dhe po qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’, sepse kanë kaluar vetëm shtatë javë dhe kampionati është shumë i gjatë”, ka thënë Prekazi për Insporti.com.

Më tutje, ai ka shkuar se futbollistët, stafi teknik dhe kryesia janë duke punuar maksimalisht për të vazhduar me këtë ritëm dhe për t’i arritur synimet. “Në Podujevë na pret një ndeshje e vështirë, sepse ballafaqohemi me një skuadër të kompletuar dhe me individë që janë në gjendje të të ndëshkojnë në çdo moment. Megjithatë, ne tani e kemi krijuar filozofinë e lojës sonë dhe nga në secilën ndeshje hyjmë për të marrë maksimumin”, ka shtuar Arbër Prekazi.

Feronikeli pas dy barazimeve në dy javët e para, i ka shënuar pesë fitores radhazi dhe e kryeson renditjen me 17 pikë.

Ndeshja Llapi – Feronikeli zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë dhe fillon në orën 15:30.