Liridon Balaj në mesin e zbulimeve të vitit në futbollin zvicerian

Futbolli zvicerian është pushtuar nga futbollistët shqiptarë. Njëri nga emrat që ka fascionuar me paraqitjet e tij të fundit, sidomos pas periudhës pandemisë është edhe Liridon Balaj, shkruan Gazetasheshi.com.

Ish-futbollisti i Besës së Pejës ka qenë thjesht i papërmbajtshëm duke realizuar tetë gola dhe duke shërbyer një herë për bashkëlojtarët e tij.

Aktualisht pjesë e ekipit FC Aarau, 20 vjeçari është futur në mesin e zbulimeve të këtij edicioni nga “Scouting Report Challenge League”.

Balaj llogaritet si një futbollist tejet premtues dhe qëndrimi në “Challenge League” pritet të jetë i shkurtër, pikërisht për shkak të interesimit të madh të shumë klubeve elitare për të.

Shpërthimi i Balajt erdhi në pjesën finale të edicionit, pikërisht kur i’u desh më së shumti ekipit të tij, derisa veçohet hat-tricku në ndeshjen ndaj Laussanes.

“Scouting Report Challenge League” e përshkruan Balajn si një futbollist tepër të fuqishëm, i shpejtë dhe me goditje të forta.

Gjithashtu për të raportohet se janë të interesuara disa klube nga elita e futbollit zvicerian.

Në mesin e zbulimeve të këtij edicionit është edhe futbollisti tjetër shqiptar, Valon Fazliu, i cili është pjesë e klubit FC Wil.

Pas aventurave jo shumë te suksesshme te Grasshoppers dhe Lugano, 24 vjeçari u transferua një vit më parë te ekipi i Wil, derisa tashmë është shndërruar në njërin nga futbollistët kryesor të ekipit.

14 gola dhe dymbëdhjetë asistime në 26 ndeshje janë shifra fantastike për mesfushorin nga Kosova. Ai u përfshi drejtpërdrejt në 43.3% të golave të ekipit të tij.

Në mesin e zbulimeve të këtij edicioni ishin edhe Asumah Abubakar – SC Kriens, Omer Dzonlagic – SC Kriens, Sofian Bahloul – FC Chiasso, Kwadwo Duah – FC Wil dhe Tobias Schättin – FC Winterthur.

/Gazeta Sheshi/