Liga e Kombeve, rasti i artë i Kosovës

Me Ukrainën dhe Islandën në luftë të rreptë për kualifikim në botëror, gjasat që Kosova të shënojë fitore në ciklin e saj të parë, nuk vlerësohen të mëdha.

Fitorja mbetet synim i Kosovës për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve për botërorin e vitit 2018, por me shumë gjasa ajo do të vijë vetëm vitin tjetër, në një garë të re të UEFA-s, shkruan sot Koha Ditore.

Pas një viti, në shtator të 2018-s, do të luhen dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Kjo garë e re do të zhvillohet në katër nivele (liga) dhe Kosova do të jetë në ligën më të dobët, Ligën D.

Ndarja e përfaqësueseve evropiane nëpër nivele do të bëhet në bazë të ranglistës dhe kundërshtarët e Kosovës mund të jenë përfaqësuese si: Lituania, Bjellorusia, Gjeorgjia, Armenia, Maqedonia, Ishujt Faroe, Luksemburgu, Letonia, Moldavia, Kazakistani, Lihtenshtajni, Andorra, Malta, San Marino apo Gjibraltari.