“Le Figaro”: Hashim Thaçi mund të akuzohet nga Gjykata Speciale

Akuzat serioze rreth abuzimit të të burgosurve serbë dhe romë mund të bëjnë që Hashim Thaçi të akuzohet nga Gjykata Speciale. Pas zgjedhjes së tij, Presidenti i Kosovës mund të akuzohet, shkruan gazeta franceze “Le Figaro”.

“I zgjedhur më 26 shkurt nga Parlamenti i Kosovës, 47 vjeçari Hashim Thaçi mund të preket nga themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si përgjegjës për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, ku ai ishte një nga komandantët, i njohur si ‘gjarpri’”, shkruan “Le Figaro”.

Presidenti Thaçi i ka thënë agjencisë “France-Presse”, se ‘nuk ka asgjë për të fshehur’.

“Le Figaro” shkruan se gjithçka mund të komplikohet, pasi shumë dëshmitarë mund të jenë ish anëtarë të UÇK-së.

Si pjesë e kësaj procedure si dëshmitar mund të thirret Bernard Kouchner. Si përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë prej 1999 deri më 2000, Kouchner rregullisht ishte akuzuar se kishte mbyllur sytë në krimet e kryera nga UÇK, shkruan “Le Figaro”.

‘Nuk mund të them se Kouchner e dinte për trafikimin e organeve, por është e pamundur që ai të mos kishte informacione për organizatat kriminale në Kosovë”, citohet të ketë thënë si komandanti i policisë së UNMIK-ut, Stu Kellock.

Bernard Kouchner vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat. Më 2010 ai e kishte quajtur të çmendur një gazetar serb që e kishte pyetur për një çështje të tillë./Telegrafi/