LAJMI I FUNDIT: Jep dorëheqje trajneri i Prishtinës

3087

Aventura e trajnerit nga Mali i Zi, Dragan Radoviq nuk ka zgjatur as dy muaj te Sigal Prishtina, ekip me të cilin javë më parë e fitoi Kupën e Kosovës.

KB Prishtina të mërkurën ka njoftuar se Radoviq menjëherë e ka ofruar dorëheqjen pas humbjes nga Vëllaznimi (86:74) në shtëpi, në ndeshjen e xhiros së 20 të Superligës së Kosovës në basketboll.

“Pas përfundimit të ndeshjes së sotme kundër KB Vëllaznimi, kryetrajneri Dragan Radoviq njoftoi bordin e klubit për dorëheqje nga pozita. Trajnerin Radoviq e falënderojmë për angazhimin e deritashëm dhe kontributin e tij në fitoren e kupës së Kosovës dhe i dëshirojmë suksese në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Radoviq në ditët e para të janarit e mori drejtimin e Prishtinës pas largimit nga Golden Eagle Ylli në fund të vitit të shkuar. Aktualisht, Prishtina zë vendin e parafundit në tabelë me 26 pikë të mbledhura pas gjashtë fitoreve e 14 humbjeve në 20 ndeshje të luajtura këtë edicion.