LAJM I FUNDIT: Liga e Holandës dhe ajo e Belgjikës afër për tu bashkuar

Plani që po shqyrtohet tash e sa kohë, për bashkimin e ligave të futbollit të Belgjikës dhe Holandës, në ‘BeNeliga’ është afër konkretizimit.

E përditshmja gjermane ‘Kicker’, bën të ditur se përfaqësuesit e klubeve nga Belgjika dhe Holanda kanë mbajtur një takim, në Eindhoven.

Ata janë takuar me synimin që të japin propozimet finale, para konkretizimit të planit për bashkimin e ligave, hap ky që parashikohet të ketë një potencial të madh ekonomik dhe sportiv.

Klubet më të interesuara për këtë lëvizje kanë qenë ato si Ajax Amsterdam, Feynoord, PSV Eindhoven, nga Holanda, kurse nga Belgjika janë skuadrat e Anderlecht, Club Brugge, Standard Liege, Gent e Genk.

Sipas përfaqësuesve të këtyre skuadrave, një bashkim i ligave do të sillte një konkurrencë më të madhe, e cila skuadrave do t’iu bënte mirë.

Gazeta sportive holandeze, ‘vin.nl’ dhe ‘AD’ raportojnë se plani përfshinë 10-të skuadra holandeze dhe tetë skuadra belge.

Secilin vit, nga një skuadër belge dhe holandeze do të ndërrojnë nivelet e kompeticionit.

Kujtojmë se aktualisht në kampionatin holandez, Eredivisie luajnë 18 skuadra, kurse në Jupiler League të Belgjikës luajnë 16 skuadra, transmeton lajmi.net.

Kampionati i Holandës dhe ai i Belgjikës kanë qenë një destinacion i preferuar nga lojtarët e Kombëtares së Kosovës, ku shumica prej tyre morën hapat e parë në karrierën profesionale.

Milot Rashica, Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, por edhe Mërgim Vojvoda që akoma luan me Standard Liege, e Ibrahim Dresevic me Heerenveen, kanë nisur aty rrugëtimin e tyre.

Bashkimi i këtyre dy ligave mund ta bënte atë zonë edhe më të pëlqyer për lojtarët e rinj nga Kosova, të cilët synojnë aventura evropiane.