Ky është vlerësimi i trajnerit të Zurichiut për reprezentuesit e Kosovës

Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli mbrëmë shënuan golat në barazimin 3:3 të ekipit të tyre FC Zurich në duel me Neuchatel Xamaxin, në ligën elite të Zvicrës.

Edhe pse dy golat e Kryeziut, ishin shumë të bukur, kurse Kololli u tregua i sigurt nga pika e bardhë, pësimi i tre golave nga ekipi i fundit në ligë, duhet të jetë shqetësim për trajnerin e këtij ekipi Ludovic Magnin.

Të shtunën, para fillimit të kësaj ndeshjeje, Insporti publikoi një intervistë më këtë trajner, ku ai foli për kosovarët në ekipin e tij, marrëdhënien me selektorin e Kosovës Bernard Challndes dhe tema tjera.

I pyetur për tre anëtarët e përfaqësueses së Kosovës, të cilët luajnë në Zurich dhe për lojën e tyre këtë sezon, Magnin pohoi se “Në përgjithësi unë nuk flas në publik për lojtarë të caktuar. Mund të them vetëm kaq: Kololli dhe H. Kryeziu kanë pasur nevojë për ca kohë që të përshtaten me ne, por tani ata janë përforcimet e dëshiruara për ekipin tonë. M. Kryeziu e ka nisur sezonin si startues dhe tani i duhet që ta presë rastin e tij. Aftësitë e tij janë mirë të njohura për ne”.

Magnin për Insportin po ashtu deklaroi se nuk mund të vlerësohen të gjithë kosovarët, për shkak të mentalitetit të tyre, sepse kjo do ishte një klishe në qasje dhe secili lojtar kosovar në ekipin e tij është karakter në vete.