Ky është “bombarduesi” i ri kosovar i Superiores

547

Flamurtari i Vlorës ka arritur tri pikët e para në xhiron e dytë të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, duke mundur Luftëtarin 5:0.

Dy nga pesë gola i ka realizuar futbollisti gjilanas që në Vlorë zbarkoi nga futbolli holandez, Donjet Shkodra.

Në fakt, mesfushori kosovar realizoi dy supergola dhe tani i prinë listës së shënuesve, pasi edhe në xhiron e parë kishte realizuar njëherë.

Me shënimet, asistimet e driblimet për vetëm dy xhiro ka bërë që emri i tij të dëgjohet gjithandej Shqipërisë.

Shkodra në një prononcim për Gazetën Sheshi tregon për pritjet, formën dhe synimet me vlonjatët.

“Te Flamurtari më kanë pritur shumë mirë. Të gjithë kanë treguar respekt për mua. Sa i përket formës, jam i kënaqur edhe pse ende është herët”, theksoi Shkodra.

“Synimet e skuadrës? Të shikojmë si shkojnë ndeshjet e radhës, por unë një gjë vetëm mund të premtoj se do të japë çdo herë 100 për qind. Shpresoj të rritemi si skuadër dhe të bëjmë gjëra të mira”, shtoi mesfushori 27-vjeçar që së fundmi luajti te ekipi Deinze.

Shkodra synon që me paraqitje të mira në Shqipëri të depërtojë më lartë, por ai për momenti është i përqendruar në kampionatin shqiptar me ekipin e tij, ku paraqiten edhe disa kosovarë tjerë, si Ilir Berisha, Astrit Fazliu e Dardan Çerkini.