Kurti: Mustafës i ka mbetur vetëm anëtarësimi në PDK

90

Në një fjalim para qytetarëve protestues pranë Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se protestuesit në mbështetje të opozitës do të rriten dita ditës. Kurti tha se deputetët e shumicës në Kuvend kanë pasur ndërmend që sot ta zgjedhin Thaçin president, mirëpo sipas tij, kjo gjë u pamundësua nga deputetët e opozitës.

“Sonte do të jemi më shumë se dje, nesër më shumë se sot. Ne mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit ishim bashkë më Valdeten, thamë çfarë kishim për të thënë për lëndimin e Albulenës dhe arrestimin e deputetëve. Ata na thanë të ankohemi në Kushtetuese. Ne u thamë që Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja”, ka thënë Kurti.

Kurti, në adresimin e tij qytetarëve protestues te sheshet ku janë vendosur tendat, tha se dikur kryeministri Isa Mustafa i thoshte deputetëve të tij që ta votojnë Kadri Veselin për kryekuvendar vetëm që ai të bëhet kryeministër, ndërsa sot po kërkon nga ata që ta votojnë Thaçin president vetëm që të mbetet kryeministër.

Sipas tij, Mustafës i ka mbetur vetëm anëtarësimi në PDK.

“Mustafa dikur iu tha deputetëve votojeni Veselin të bëhem kryeministër, sot po i thotë votojeni Thaçin të mbetem kryeministër. Mustafës i ka mbetur vetëm ta marrë kartelën e anëtarësimit në PDK”, ka thënë Kurti.

Kurti, po ashtu, tha se protesta e paralajmëruar për të premten nuk mund të jetë në ora 14:00 sepse do të jetë vonë.

“Por, kësaj radhe do të jemi bashkë që në mëngjes. Kjo është arsyeja pse nesër duhet në jemi më shumë. Duke fjetur në shesh ne jemi duke punuar. Nuk e pranuan referendumin – ne nuk kemi qare pa u kthyer te populli. Sonte dhe nesër njoftoni sa më shumë miq e dashamirë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Kurti u ka bërë thirrje edhe bashkatdhetarëve që të vijnë e t’iu bashkohen protestës së opozitës kundër zgjedhjes së Thaçit president i Kosovës.

Ndërkaq, Time Kadriaj, deputete e AAK-së, ka thënë se kjo Qeveri po përdor policinë e popullit për të shtypur opozitën. Ajo tha se këto ditë qytetarët janë së bashku dhe sipas saj kështu do të jenë deri në rrëzimin e Qeverisë./KosovaPress/