Kundeshtohet komuna serbe nga krerët e Obiliqit e Vushtrrisë

112

Propozimi që në Kosovë të krijohet edhe një komunë e re me shumicë serbe nuk është pritur mirë nga pushteti lokal.

Ideja që disa fshatra në Vushtrri dhe Obiliq, të banuara kryesisht me serbë, të inkuadroheshin brenda një komune të re, i ka zënë në befasi krerët e këtyre dy komunave, ka raportuar KTV.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ka thene se ai nuk është në dijeni për këtë propozim dhe se beson se kjo ide është e nxitur nga politika serbe. “Nuk do të lejojë që në komunën e tij të ndahen fshatrat që kanë më shumë serbë, si Prelluzha dhe Graca”, thote ai.

E për opozitën në Vushtrri, një propozim i tillë mund të jetë njëra prej kërkesave që ka dalë prej Listës Serbe, e kushtëzuar për ta votuar Thaçin për president.

Komuniteti serb i fshatit Prelluzhë që përmendet si njëri prej fshatrave që do të mund të inkuadrohej në komunën serbe, mirëpret idenë që edhe ata të kenë një komunë të tyre.

KTV-ja ka kontaktuar me zëvendësministrin e Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, por ai e ka mohuar idenë që fshatrat e komunës së Vushtrrisë dhe Obiliqit të krijojnë komunë të re serbe.