Kukësi me trajner të ri

147

Është Ernest Gjoka trajneri i ri i Kukësit. Ndryshimi në kampin verilindor fillon që nga stoli. Menjëherë pas eleminimit në Europa League në raundin e dytë kualifikues nga Austria e Vjenës presidenti Safet Gjici nuk ka humbur kohë për të përcaktuar timonierin e ri me të cilin synon të nisë një epokë të re suksesi.

Pas përfundimit të aventurës europiane vëmendja shkon menjëherë te sezoni i ardhshëm, i cili do të jetë sërish me ambiciet maksimale. Presidenti Safet Gjici i cili kishte deklaruar se mund të konfirmonte Hasan Likën vetëm në rast të kalimit të turit me Austrinë e Vjenës ka vendosur që për kursin e ri t’ia besojë skuadrën trajnerit 46-vjecar.

Për Ernest Gjokën, teknikun e fundit që ka çuar një trofe te Flamurtari, Kupën e Shqipërisë në sezonin 2013-2014 ku mundi në finale me vlonjatët pikërisht Kukësin, bëhet fjalë për një sfidë të re pasi për të parën herë pritet të ketë në dispozicion një skuadër kompetitive me të cilën mund të synojë objektiva madhorë.

Ambiciet e Presidentit Gjici janë maksimale pasi numri një i Kukësit synon sërish të luftojë në të dyja frontet kampionat dhe Kupë për trofetë më të rëndësishëm në vend. Misioni tani i përket Ernest Gjokës një trajner karizmatik, korrekt dhe i azhornuar me evolimet e futbollit modern që synon të bëjë te Kukësi hapin e madh të karrierës pas eksperiencave pozitive në hapat e parë të saj me skuadra si Apolonia, Kamza, Tomori apo Flamurtari.