Kukësi fitoi titullin, por UEFA i befason të gjithë: Skënderbeu ende në garë

Kukësi është shpallur zyrtarisht kampion i Shqipërisë, por nëse hap faqen e internetit të UEFA-s, atëherë mëson se kampionati shqiptar i Kategorisë Superiore nuk është mbyllur ende sa i përket çështjes së titullit kampion.

Sigurisht që bëhet fjalë për një lapsus, por sipas një shkrimi të djeshëm nga “UEFA.com”, Skënderbeu është ende në garë për të fituar titullin e 7 radhazi. Gjatë shkrimit, “UEFA.com” ka përfshirë statistikat aktuale në Europë me seritë e titujve radhazi që janë në vazhdim.

uefa1

Në këto statistika është përfshirë edhe Skënderbeu teksa përmendet që ka fituar 6 tituj radhazi dhe është ende në garë për triumfin e 7. Me siguri, autori i këtij shkrimi nuk i lexon shkrimet e tjera të “UEFA.com”, pasi jo më larg se dje në mbrëmje ky sajt njoftoi shpalljen kampion të Kukësit në Shqipëri, duke ndalur ecurinë rekord të Skënderbeut në Kategorinë Superiore.