Kryetari i Federatës së Malit të Zi dekonspiron personin që qëndron prapa skandalit që ndodhi para ndeshjes mes Malit të Zi dhe Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Savicevic, ka zbuluar se kush kishte gisht në ‘tollovinë’ e krijuar para ndeshjes me Kosovën.

Përzgjedhësi i Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic dhe dy lojtarë të kombëtares, Mirko Ivanic dhe Filip Stojkovic, të cilët janë me prejardhje serbe, refuzuan të zbrisnin në fushë, për shkak se kishin presion të madh nga Beogradi, shkruan Telegrafi.com.

Savicevic së fundmi ka zbuluar gjithçka në një televizion malazez, ku ka thënë se presioni në Ljubisa Tumbakovic dhe lojtarët vinte nga Beogradi.

Savicevic insistoi se ishte presidenti aktual i Crvena Zvezdas, Zvezdan Terzic ai që kishte rolin kryesor dhe orkestronte gjithë atë presion, shkruan ‘rs.n1info’.

“Terzic ka hedhur bombë atomike mbi futbollin malazez. Ne do t’i mbijetojmë kësaj bombe, por ai është një prej akterëve kryesorë në këtë histori” ka thënë fillimisht presidenti i federatës malazeze.

“Ai ishte njeriu kryesorë që bëri presion mbi lojtarët e Crvena Zvezdas, sigurisht, me anë të tifozëve”.

“Presioni kishte filluar shumë më herët sesa publiku e dinte për të. Ne kemi pasur disa biseda dhe unë nuk besoja se ai do ta bënte atë gjë në fund”.

“Nëse ai do të thoshte më herët se kishte probleme, unë me gjasë do t’i qartësoja më herët gjërat”, ka thënë Savicevic.

Federata e Futbollit të Malit të Zi kishte marrë vendim që menjëherë pas ndeshjes Ljubisa Tumbakovic të shkarkohej nga posti i trajnerit.

Në anën tjetër ka qenë Terzic ai që i ka hedhur poshtë pretendimet e Savicevic, duke i quajtur çmenduri.

“Unë kam thënë disa ditë më parë se ne nuk duhet të përziejmë politikën dhe sportin, dhe se vendimi i dy lojtarë të Cervana Zvezdas për të mos luajë kundër Kosovës ka qenë vendimit i tyre personal”.

Terzic ia ka kujtuar Savicevicit se ka qenë yll i madh i klubit dhe se nuk duhet të bëjë këso akuzash nëse dëshiron të kthehet edhe një herë si yll e të pritet nga tifozët e klubit.