Kryeministrit Mustafa do t’i hetohet pasuria

Formularët e 806 zyrtarëve ose 20% e listës totale prej 3900 zyrtarëve të lartë që e kanë bërë deklarimin e rregullt vjetore do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë kundër korrupsionit.

Kurse, në rast se Agjencia gjenë parregullsi në deklarimin e pasurisë, atëherë ndaj këtyre zyrtarëve do të ushtrohet kallëzim penal. Në këtë listë është edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Përveç tij, gjatë shortit që është hedhur sot nga Agjencia Kundër-Korrupsion është edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zëvendësministri i mjedisit, Mergim Rugova, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, zëvëndësministri i kulturës, Rexhep Hoti, deputetja Njomza Emini, si dhe zyrtarë të tjerë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Hasan Preteni tha se agjencia ka marrë të gjitha masat ligjore që të dhënat e tyre t’i krahasojnë me të dhënat e deklaruara nga zyrtarët e lartë.

Preteni ka theksuar se duhet një qasje interaktive e bashkëpunimit në mënyrë që të gjejnë zyrtarët që punojnë për xhepat privat.

“Duhet me pas një qasje më interaktive, të bashkëpunojmëdhe t’i gjejmë se cili zyrtarë po zotohet që do të punoj në të mirën e përgjithshme, betohet-zotohet dhe del që nuk punohet ashtu, por po punohet për xhepat privat. Bashkërisht gjithë këtë pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme të tentojmë bashkërisht t’ia kthejmë qytetarëve”, tha Preteni.

Ndryshe, vitin e kaluar AKK, ka kontrolluar 799 formularë, ku ndaj 43 rasteve është ushtruar kallëzim penal.

Lista e zyrtarëve publik që do t’i nënshtrohen kontrolli të pasurisë publike do të publikohet edhe në faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion.