Kryeministri siguron Vushtrrinë: Nuk do të ketë Komunë të Prilluzhës

110

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Komunën e Vushtrrisë, ku u prit nga kryetari Bajram Mulaku, të cilin e ka siguruar se Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë plan për krijimin e Komunës së Prilluzhës, për të cilën çështje opozita organizoi protestë kundërshtuese.

Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, kryeministri u njoftua me punën dhe rezultatet që po arrihen në realizimin e projekteve zhvillimore, por edhe me problemet me të cilat ballafaqohet Vushtrria dhe qytetarët e saj.

Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit, kryeministri Mustafa tha se nga kryetari është njoftuar për punët që po kryhen në këtë Komunë, duke u nisur nga infrastruktura rrugore, shkollore dhe ajo e shëndetësisë.

“Në fushën e kulturës ka nevojë për shtëpinë e kulturës dhe për objektet tjera kulturore për të cilat kërkohet përkrahje më e madhe e nivelit qendror. Po ashtu edhe për infrastrukturën e cila e lidh këtë Komunë me komunat e tjera. Biseduam për sukseset që janë arritur në zhvillimin ekonomik sidomos në bujqësi, sepse është një prej komunave e cila avancon në bujqësi dhe në prodhimin primar dhe në përpunimin e produkteve bujqësore. Konsideruam bashkërisht se duhet të gjejmë zgjidhje edhe sa i përket aktivizimit të Fabrikës së Ujit, por edhe të disa kompanive të cilat janë privatizuar”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa, duke premtuar përkrahje të plotë në këtë drejtim.

Me tej, kryeministri Isa Mustafa tha se është biseduar edhe për përfoljet për krijimin e komunës së Prilluzhës, për të cilën tha se nuk do të ndodhë.

“Biseduam edhe lidhur me preokupimin e kësaj Komune dhe qytetarëve të saj me hapjen e fjalëve për themelimin e një komune të re, komunës së Prilluzhës. E sigurova kryetarin se ajo nuk do të ndodhë në asnjë moment sepse askush nuk e ka mendjen që të themeloj një komunë të tillë. Orientimi ynë është që ne të punojmë në zhvillimin ekonomik, të punojmë në themelimin e fabrikave dhe jo të komunave të reja, edhe në hapjen e vende të reja të punës përmes sistemit ekonomik e kurrsesi përmes zgjerimit të administratës. Ne sot do të vizitojmë edhe dy kompani shumë të rëndësishme të kësaj Komune dhe do të shohim konkretisht se si po zhvillohet jeta ekonomike”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Ndërsa, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën, duke thënë se gjatë takimit është biseduar për punën dhe sfidat me të cilat përballet Komuna e Vushtrrisë.

“I tregova kryeministrit për punën që është bërë deri tash në Komunën tonë. I tregova, po ashtu, edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Komuna e Vushtrrisë, për problemet esenciale që i ka Vushtrria”, citohet të ketë thënë Mulaku.

Kryetari i Vushtrrisë theksoi problemet me kompaninë e ujit e cila ende nuk po mund të hyjë në funksion e që është ndërtuar, duke shprehur besimin se shumë shpejt do të vihet në funksion.

Mulaku, po ashtu, e ka njoftuar kryeministrin edhe për problemet tjera që ka Vushtrria.

“Me të vërtetë doli që këto takime të pushteteve qendrore dhe lokale janë tepër të rëndësishme sepse po shtrohen shumë probleme të përbashkëta që mund t’i zgjidhim bashkërisht”, ka thënë kryetari Mulaku.

Pas takimit në Komunë, kryeministri Mustafa i shoqëruar edhe nga kryetari Mulaku ka vizituar disa biznese dhe kompani private të kësaj komune. /KosovaPress/