“Kryeministër, mirë se vjen në Kosovën serbe”, pjesëtarë të xhandarmerisë dhe BIA-s në veri

85

Veriu i Mitrovicës, por edhe i Kosovës në përgjithësi, është zgjuar me billborde për mirëseardhjen e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, vizita e të cilit është paraparë në veri të vendit të dielën.

Nga kufiri i Jarinjës, përmes Zveqanit dhe Zubin Potokut, e deri në veri të Mitrovicës, vërehen pothuajse kudo billborde dhe fotografi në të cilat shkruan ‘ Kryeministër, mirë se vjen në Kosovën serbe”

Mësohet se përmes këtyre billbordeve, qytetarët serbë të veriut dërgojnë mesazh se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe se Vuçiq konsiderohet kryeministër edhe i tyre.

Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se disa ditë më parë, dhjetëra pjesëtarë të xhandarmerisë serbe në rroba civile, si dhe të shërbimit të intelegjencës së Serbisë (BIA), kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe po vazhdojnë të qëndrojnë këtu, për shkak të sigurisë së kryeministrit të tyre të dielën.

Sipas këtyre burimeve, bashkë me kryeministrin Vuçiq, të dielën në veri të Kosovës do të jetë edhe një delegacion i lartë i zyrtarëve serbë, në mesin e të cilëve edhe Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë. /KosovaPress/