Krasniqi zbulon arsyet përse vendosi ta marrë drejtimin e Besës, flet për të ardhmen e tij dhe klubit pejan

633
Leotrim Krasniqi, kryetrajner i FC Besa

Leotrim Krasniqi ka marrë një hap të rëndësishëm për karrierën e tij dhe po aq të vështirë. Tekniku kryeqytetas është emëruar këtë stinor shef i shtabit teknik në Klubin Futbollistik “Besa”, duke e zëvendësuar trajnerin Jerome Klein, i cili ka kaluar në postin e drejtorit sportive.

Ish-futbollisti i shumë skuadrave në vend, i cili prej kohësh është duke punuar me gjenerata të reja në disa shkolla dhe klube në vendin tonë, tashmë ka marrë një ‘mision’ më ndryshe se zakonisht.

Krasniqi ka zbuluar në një prononcim për Gazetën “Sheshi” edhe arsyet përse ka vendosur ta pranojë një ofertë të tillë, pasi që Besa në përbërje ka një ekip të ri dhe me pak gjasa për të mbijetuar.

“Detyrën e trajnerit të parë vendosa ta pranoja sepse klubi ma ofroi një mundësi të tillë dhe e pranova. Është në detyrë që kërkon përgjegjësi dhe po punojmë në atë drejtim që të jemi në nivel të detyrës, ashtu si edhe kërkon një klub shumë i organizuar sikurse Besa”, deklaroi fillimisht Krasniqi.

FC Besa 2020/21

“Motivet që pranova një përgjegjësi të tillë janë sepse kam besim në punën time dhe futbollistëve të mi. Duke ditur vështirësitë dhe gjendjen në renditjen tabelare, prap nuk kam hezituar dhe mund të ju them se lojtarët po përgjigjen mjaft mirë në trening dhe po punojmë që të shfaqim paraqitje sa më të mira”.

I pyetur se deri ku mund të shkojë Besa me këtë skuadër, pasi që situata në renditjen tabelare nuk është aspak e favorshme për ekipin e tij, Krasniqi u shpreh:

“Besën për momentin e shoh përballë ndeshjes ndaj Drenicës dhe nuk mendojmë më larg se nga loja që kemi para vetës”.

Mbijetesa është një ‘mision’ i vështirë dhe këtë e di mjaft mirë edhe Krasniqi.

Ai ka thënë se aktualisht mbetet i fokusuar në projektin që ka nisur Besa, por edhe në të ardhmen do të vazhdojë të punojë me ekipe të para.

“Jam i koncentruar në ekipin e Besës, pasi që është një projekt afatgjatë dhe se kërkon kohë. Jemi të përkushtuar dhe besojmë shumë bashkarisht që me stafin ta bëjmë ngritjen individuale dhe kolektive të futbollistëve dhe për këtë gjë duhet shumë punë, disiplinë dhe përkushtim. Ka qenë kënaqësi të punosh me futbollistë në etapën e formimit të tyre. Jam trajner i ekipit të parë dhe normalisht dua të vazhdoj punën me ekipet e para”.

“Falenderoj kryetarin e klubit për besimin që ka shfaqur tek unë që nga dita e parë”, përfundoi Krasniqi.

Leotrim Krasniqi si futbollistë gjatë kohës sa ishte pjesë e FC 2 Korrikut

Krasniqi më parë ishte pjesë e Shkollës së Futbollit “Shqiponja”, teksa më pas me shumë sukses drejtoi moshat e 17 vjeçarëve të Prishtinës duke arritur sukses të jashtëzakonshëm.

Kujtojmë që si futbollist ai ishte pjesë e skuadrave si Ramiz Sadiku, 2 Korriku, Hajvalia, Hysi e Trepça.

/Gazeta Sheshi/