Kosova U21 fillon përgatitjet për ndeshjen ndaj Shqipërisë në Drenas, këto janë risië e fundit

Pasi publikoi listën e futbollistëve të ftuar, selektori Rafet Prekazi e nisi punën me 22 “dardanët” në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas për duelin e radhës kualifikues ndaj Shqipërisë U21 për kampionatin evropian të vitit 2021, raporton Gazetasheshi.com.

Prekazi pati nën urdhërat e tij të gjithë lojtarët e ftuar për këtë ndeshje.

Kosova U21 për këtë ndeshje do të ketë disa mungesa, duke filluar nga Arton Zekaj e Lirim Mema, si dhe Arbenit Xhemajli e Lirim Kastrati, dy të fundit të ftuar nga Kombëtarja A e Kosovës për ndeshjen ndaj Gjibraltarit dhe Malit të Zi. Mirëpo, Xhemajli dhe Kastrati mund të rikthehen pas ndeshjes me Gjibraltarin, informacion të cilin e konfirmoi edhe trajneri i Kosovës A, Bernard Challandes.

Sulmuesi i Hannoverit, Valdrin Mustafa pas stërvitjes së parë u shpreh se ata janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe shpreson që të dalin triumfues nga ndeshja e cila zhvillohet në “Elbasan Arena”.

“Stërvitja e parë ka qenë shumë e mirë. Kemi disa lojtarë të ri, besoj që kemi kaluar sot shumë mirë dhe tash përgatitemi për lojën ndaj Shqipërisë. Ne besojmë se do të japim maksimumin, çdo lojtarë dhe besoj që kemi me luajt një lojë shumë të mirë dhe do të marrim 3 pikë sërish në Kosovë. Normal është një lojtarë shumë i rëndësishëm për ne, por i kemi disa lojtarë të ri dhe besoj që mund të përballojmë këtë gjë, nëse nuk mund Lirim Kastrati me ardhur tek ne për të na ndihmuar”, tha Mustafa.


Ndeshja mes Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohet me 15 tetor.

/Gazeta Sheshi/