Kosova U-19 u nis për në Portugali

Ndonëse gati në të njëjtën periudhë kohore, do të zhvillohen shumë ndeshje të ekipeve përfaqësuese, në radhë të parë Përfaqësuesja A do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në Paris, kundër Madagaskarit më 24 dhe kundër Burkina Fasos më 27 mars, që do të jetë edhe debutimi i parë i përzgjedhësit të ri Bernard Challandes si dhe Përfaqësuesja U-21 do të ketë dy ballafaqime kualifikuese në Kosovë, së pari kundër Azerbajxhanit, që zhvillohet më 22 mars dhe kundër Gjermanisë, më  27 mars, vëmendja e madhe e opinionit futbolldashës do të jetë e drejtuar kah Portugalia, ku Përfaqësuesja U-19 do të zhvillojë ndeshjet e rrethit elitë.

Në të vërtet Përfaqësuesja U-19 e siguroi pjesëmarrjen në rrethin elitë, pasi që në tetor në ndeshjet parakualifikuese arriti të shënojë fitore kudër Izraelit me rezultat 2:1, mundi Lituaninë me 3:0 dhe pësoi humbjen nga mikpritësi Austria 1:0.  Tani, Kosova U-19 udhëtoi për Portugali ku në qytetin e Portos në kuadër të ndeshjeve të rrethit elitë në grupin e 5-të do të ballafaqohet në ndeshjen e parë me mikpritësin Portugalinë, më 21 mars, ndërsa më 24 mars do të takohet me Republikën e Irlandës dhe ndeshjen e fundit me Sllovakinë.

Gjasat për një kualifikim të mundshëm për Evropianin që do të mbahet në korrik në Finlandë, janë mjaft të mira, ndërkaq para nisjes ku dy stërvitje i mbajti në Kosovë, përzgjedhësi i Përfaqësueses  U-19, Ramiz Krasniqi u shpreh: ”Jemi përgatitur mirë. Tashmë në këtë rreth të garave udhëtojmë edhe me një përvojë më të madhe ndërkombëtare të ndeshjeve. Po ashtu FFK-ja na mundësoi edhe disa përgatitje në Turqi. Unë besoj në këtë grup të futbollistëve. Kemi një ekip homogjen me futbollistë cilësor që na bëjnë të shpresojmë në rezultate të mira. Çdo respekt për kundërshtarët, por nuk kemi asnjë frikë për t’u ballafaquar me askënd. Kemi mungesën e një mbrojtësi të mirë, por unë besoj se do të gjejmë zgjidhjen e duhur”.