Kosova rrit importin e mallrave nga Serbia

131

Duket se ftesa që Oda Ekonomike e Kosovës po iu bën qytetarëve të Kosovës për konsumimin e prodhimeve serbe ka filluar të jap efektin e saj, pasi importi i mallrave serbe në Kosovë është rritur vitin e kaluar.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës, vitin që lamë pas në Kosovë janë importuar mallra të produkteve serbe në vlerë prej 372 milionë euro, ndërsa përmes rrugëve ilegale shifrat jozyrtare përllogariten të sillen nga 100 deri në 200 milionë euro, me çka e importi rritet në afër 600 milionë euro. Kurse, eksporti i produkteve të Kosovës në Serbi gjatë vitit 2015 ishte 27 milionë euro.

Zëdhënës i Doganave, Adriatik Stavileci, ka thene për KosovaPress, se gjatë vitit 2015 ka pas rritje të importit për 4 për qind më shumë se në vitin 2014.

Ai po ashtu tha se për dy muajt e parë të këtij viti, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 45 milionë euro. Kurse, Kosova për këta dy muaj eksportoi në Serbi mallra në vlerë 2.5 milionë euro.

Nga ana tjetër, institucionet gjegjëse të Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të dinë se sa është edhe vlera e mallrave të importuara përmes rrugëve ilegale. Shifrat jo zyrtare përllogariten të sillen nga 100 deri në 200 milionë euro.

Kjo shifër asnjëherë nuk është mohuar dhe as pranuar nga autoritetet vendore.

Përndryshe, në përkrahje të importuesve serb në Kosovë, kësaj jave ka dal edhe një herë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili përmes një komunikate të përbashkët me Odën Ekonomike të Serbisë, kanë deklaruar se i kanë dërguar një letër organeve të larta të BE-së me kërkesë për parandalim të aktiviteteve të Vetëvendosjes në Kosovë, aktivistët e së cilës po bllokojnë importin e mallrave nga Serbia.

Ndërsa, nënkryetari i OEK-ut, Arif Elshani ka dalë të enjten kundër, duke e quajtur ketë letër si veprim personal të Gerxhaliu dhe të kontrabanduar në mënyrë të fshehtë. Ai përmes një letre dërguar mediave ka thënë se kjo letër nuk përfaqëson qëndrimin e OEK-ës, duke marrë parasysh se Oda Ekonomike e Kosovës ka menaxhmentin e vet, Këshillin Drejtues dhe Kuvendin dhe Gërxhaliu do të duhej të marre miratimin para se të bëjë një veprim të tillë. /KosovaPress/