Kosova kërkon këndelljen, sot përballet me Islandën

Sot, zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kosovën. “Dardanët” do të përballen me Islandën, në takimin që zhvillohet në Bratislavë nga ora 16:00.

Kosova e kishte mundur Islandën me dy pikë dallim (80:78) në Prishtinë dhe një fitore tjetër do të ishte shumë e rëndësishme për kalim në rrethin e ardhshëm.

Dardanët në ‘fluskën’ e Bratislavës po paraqiten me disa mungesa, dhe kjo ndikoi edhe në humbjen ndaj Sllovakisë 91:67. Sidoqoftë, angazhimi i basketbollistëve nuk ka munguar dhe lojtarët janë të motivuar për këtë sfidë shumë të rëndësishme.

Ndeshja Islandë-Kosovë zhvillohet në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Image
Në Grupin B, Sllovakia, Islanda dhe Kosova kanë grumbulluar nga pesë pikë, kurse Luksemburgu ndodhet e fundit me tri pikë.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Sllovakia e pret Luksemburgun, që zhvillohet nga ora 19:00.

Kosova ndeshjet e fundit në grup do t’i ketë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ku do të përballet me Sllovakinë dhe Luksemburgun.