Kosova e gatshme për ditën e madhe

Një numër i madh i shikuesve shqiptarë ishin në stadium për ta përcjellë nga afër stërvitjen e fundit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll para ndeshjes debutuese kundër Finlandës, që zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror “Rusia 2018”.

Kosova stërvitjen e fundit e zhvilloi të dielën pasdite në stadiumin “Veritas” në Turku të Finlandës, ku të hënën (sot) nga ora 20:45 do ta luajë ndeshjen e parë të Grupit I ndaj Finlandës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Stërvitja e fundit e Kosovës zgjati rreth një orë e gjysmë, ku nuk munguan duartrokitjet e shikuesve prezentë dhe thirrjet në kor “Kosova-Kosova”. Kishte shqiptarë që jetojnë në Turku, por edhe në qytetet tjera finlandeze.

Përkrahja për Kosovën në ndeshje pritet të jetë e madhe. FFK-ja të dielën mbrëma ka njoftuar se në stadium do të lejohen vetëm simbole të Finlandës e Kosovës, pra jo edhe flamuj kombëtarë, që pritet të prishë qejfin e shumë tifozëve shqiptarë që tashmë kanë blerë biletat për këtë sfidë historike.