Korenica flet para lojës me Llapin dhe paralajmëron “Legjendat”

Kampionati elitar mbyll siparin e xhiros së 13-të me dy ndeshje tejet interesante, raporton Gazetasheshi.com.

Prej orës 13:00, Prishtina e pret Trepçën ’89 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa gjysmë ore më vonë në Suharekë nis takimi ndërmjet Ballkanit dhe Llapit.

Ballkani është lider i Superligës me 26 pikë të mbledhura dhe synon të shënojë fitoren e nëntë këtë edicion. Në anën tjetër, Llapi nuk ka pasur start të mirë, pasi në 11 ndeshje të luajtura deri më tash ka vetëm dy fitore. Renditet në pozitën e parafundit me tetë pikë të mbledhura.

“Pushimi na ka bërë mirë pas orarit të ngjeshur që e patëm dhe besoj se jemi plotësisht të gatshëm për ndeshjen e radhës, të cilën e luajmë në shtëpi ndaj Llapit. Nuk do të jetë lehtë pasi Llapi ka një ekip të fortë, por ne duam të vazhdojmë me ecurinë që kemi dhe ta mbajmë kreun e tabelës”, ka insistuar mesfushori i Ballkanit, Meriton Korenica.

/Gazeta Sheshi/