Konjufca, Molliqaj e të tjerët sot dalin para gjykatës

133

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, sekretari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, dhe disa aktivistë tjerë që u arrestuan javën e kaluar nga policia e Kosovës, do të dalin sot para gjykatës.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi. Ajo, tha që deri më tani nuk ka ndonjë ndryshim dhe pritet që për sot në ora 10:00 të fillojë seanca për këtë rast.

Në këtë seancë pritet që të vendoset për vazhdim të paraburgimit apo mbrojtje në liri.

Të arrestuar përveç Konjufcës dhe Molliqajt janë edhe zyrtari për informim në Vetëvendosje Frashër Krasniqi, Fatmir Kurtaj, Skënder Merturi, Pajtim Demaj, Kushtrim Zeqiri, Kujtim Kosumi dhe Kasim Uka.

Këta, bashkë edhe me 16 aktivistë e ish-aktivistë të tjerë, akuzohen për dy vepra penale: pjesëmarrje në grup për kryerje të veprës penale, si dhe dëmtim të pasurisë së paluajtshme, e cila ka të bëjë me dëmtimin e disa veturave të EULEX-it në vitin 2009./KosovaPress/