Konfirmohet edhe nga FBK-ja, Liga Unike nis më 6 prill

88

FBK-ja me anë të një postimi ka njoftuar se në këtë muaj (prill) do të zhvillohet Liga Unike

Shorti për ndeshjet çerekfinale do të mësohet sot në ambientët e Ligës Unike. Ndërsa ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen me 6 dhe 7 prill në “Mizahir Isma” në Rahovec, shkruan Gazetasheshi.com

Kurse gjysmëfinalja, ndeshja për vendin e tretë dhe finalja do të zhvillohen në qytetin e Durrësit me 13 dhe 14 prill.

Njoftimi i FBK-së:

Kam kënaqësinë të ju njoftoj që pas një periudhe të gjatë kohore që nga nënshkrimi i marrëveshjes për inicimin e ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë në basketboll “Liga UNIKE”, garat do të fillojnë me datën 6 Prill 2021.

Gara do të zhvillohet në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Çiftet e ndeshjeve të para do të dihen sot pas hedhjes së shortit. Për shkak të gjendjes me Covid-19, hedhja e shortit do të bëhet në ambientet e Ligës UNIKE.

Për mua, stafin e Ligës UNIKE dhe stafin e Federatave Nacionale është nder dhe privilegj i veçantë jetësimi i ligës së përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Uroj që kjo garë të ketë fillim të mbarë dhe të përçojë mesazh unifikues në të gjithë spektrin sportdashës në Shqipëri dhe Kosovë.

Skuadrat nga Kosova do të jenë Sigal Prishtina, Rahoveci, Peja dhe Ylli. Ndërsa nga Shqipëria janë Goga Basket, Teuta, Vllaznia dhe Tirana.

/GazetaSheshi/