Komuna e Prizrenit i bart 1.5 milionë euro në buxhetin e 2016-s

144

Komuna e Prizrenit gjatë vitit të shkuar ka arritur të arkëtonte vetëm 64-përqindëshin e planifikimit për të hyrat vetjake. Ndërkohë që ka arritur të shpenzojë vetëm gjysmën e shumës së planifikuar. Kështu mjetet e mbetura nga të hyrat vetjake të vitit të kaluar, por edhe të vitit 2014, janë bartur në buxhetin e këtij viti.

Përderisa zyrtarët e Ekzekutivit kanë arsyetuar nevojën për bartjen e këtyre mjeteve, përfaqësuesit e opozitës kanë theksuar se shifrat e prezantuara nga Drejtoria e Ekonomisë dëshmojnë dështimin menaxherial të lidershipit komunal, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zenel Ahmetaj nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave, ka shpjeguar para anëtarëve të KK-së se të hyrat vetjake nuk mund të shpenzohen në tërësi gjatë vitit financiar.

“Mjetet e vjela si të hyra vetjake nuk mund të shpenzohen në tërësi. Sidomos në dy muajt e fundit të vitit, këto të hyra arkëtohen, por nuk mund të shpenzohen, sidomos për investime kapitale. Mirëpo ka edhe arsye të tjera”, ka thënë Ahmetaj para anëtarëve të KK-së.

Sipas tij, nga viti 2015 kanë mbetur të pashpenzuara 1.2 milionë euro, ndërkohë që ato të vitit 2014 kapin shumën prej 310 mijë eurosh. Për këtë shkak ai ka theksuar se shuma prej 1.5 milionë eurove duhet të bartet në buxhetin e këtij viti.

Sipas raportit të DEF-it, gjatë vitit 2015 të hyrat vetjake janë arkëtuar në shumën 5.27 milionë euro ose 64 për qind nga planifikimi prej 8.27 milionë eurosh, derisa janë shpenzuar 4 milionë euro ose 49 për qind e shumës së planifikuar, duke lënë një mbetje prej 1.2 milionë eurosh të pashpenzuara.

Këshilltarja e LDK-së, Mybera Mustafa, ka shprehur qëndrimin se këto të dhëna janë dëshmi për dështimin menaxherial të udhëheqjes komunale.

Musa Salihi i “Vakatit” ka shprehur bindjen se në një buxhet të planifikuar mirë këto gjëra nuk ndodhin.

Kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi, ka nënvizuar se bartja e këtyre mjeteve është obligim ligjor i organit më të lartë vendimmarrës komunal. /koha.net/