Komuna e Gjilanit nderon me mirënjohje të veçantë Mirlind Dakun

Mirlind Daku, reprezentuesi i Kosovës U21 është nderuar me mirënjohje speciale nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në gala mbrëmjen e zgjedhjes së sportistëve të vitit në këtë komunë, raporton Gazetasheshi.com.

Autori i golit të dytë për Kosovën në ndeshjen përballë Turqisë e pranoi çmimin nga vetë kryetari Haziri, i cili gjithashtu ndau edhe çmimet për post mortum, kontribut jetësorë dhe sportistin e vitit.

Pos Mirlind Dakut, post mortum janë nderuar edhe sportistët Durgut Abdullahu dhe Muharrem Halili.

Për kontributin e madh në zhvillimin e sportit gjilanas janë nderuar me mirënjohje Elmaz Bajrami, ish trajner i njohur i boksit dhe Rifat Shabani, trajner i hendbollit, i cili në këtë manifestim pati një porosi për sportistët e rinj, që të merren me sport, ngase sporti është në të mirën e shëndetit të tyre, në zhvillimin e personalitetit dhe në njohjen ndërkombëtare të vendit.

Më i miri për edicionin 2018/19 në Komunën e Gjilanit u zgjodh karateisti Elhami Shabani.

Ndryshe Komuna e Gjilanit organizon zgjedhjen e sportistëve të vitit në ditën e çlirimit të Gjilanit (15 qershor) për dallim nga qytetet tjera kur e bëjnë në fundin e vitit.

/Gazeta Sheshi/